Kompanitë më të mëdha shtetërore të energjisë në Kinë, PetroChina, Sinopec, CNOOC dhe Zhenhua Oil, kanë pezulluar blerjet e naftës ruse të transportuar me det, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione ndaj Rosneft dhe Lukoil, dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi, raportoi Reuters duke cituar burime të afërta me situatën.

Ky zhvillim vjen në të njëjtën kohë me planet e rafinerive indiane, të cilat janë blerësit më të mëdhenj të naftës ruse të transportuar me det, për të reduktuar ndjeshëm importet e tyre në përpjekje për të respektuar sanksionet e reja amerikane, të vendosura si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe refuzimit të Kremlinit për t’i dhënë fund luftimeve.

Ekspertët vlerësojnë se rënia e kërkesës nga Kina dhe India, dy klientët kryesorë të Moskës, do të godasë ndjeshëm të ardhurat e Rusisë nga eksportet e energjisë dhe do të ushtrojë presion mbi tregjet ndërkombëtare, duke detyruar importuesit të kërkojnë furnizues alternativë – gjë që pritet të ndikojë në rritjen e çmimeve globale të naftës.

Sipas të dhënave, Kina importon rreth 1.4 milion fuçi në ditë naftë ruse të transportuar me det. Megjithatë, për nëntë muajt e parë të vitit 2025, Vortexa Analytics vlerëson se blerjet nga kompanitë shtetërore kineze kanë rënë në më pak se 250,000 fuçi në ditë, ndërsa Energy Aspects i përllogarit ato në rreth 500,000 fuçi në ditë.

Burime nga tregu thanë se Unipec, dega tregtare e Sinopec, ka ndalur blerjen e naftës ruse që prej javës së kaluar. Nga ana tjetër, Rosneft dhe Lukoil vazhdojnë ta shesin pjesën më të madhe të prodhimit të tyre përmes ndërmjetësve, në vend që të negociojnë drejtpërdrejt me kompanitë kineze.

Ndërkohë, rafineritë e pavarura kineze pritet të pezullojnë përkohësisht blerjet për të vlerësuar ndikimin e sanksioneve, por sipas disa burimeve të tregut, ato do të vazhdojnë blerjet në një nivel të kufizuar.

Pavarësisht kësaj, Kina vijon të importojë rreth 900,000 fuçi në ditë naftë ruse përmes tubacionit, kryesisht për PetroChina – një kompani që, sipas tregtarëve, pritet të ndikohet vetëm minimalisht nga sanksionet amerikane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb