India po përfiton maksimalisht nga sanksionet e SHBA-së ndaj Rusisë dhe po blen naftën ruse më të lirë në dy vitet e fundit. Moska, për të mos humbur tregun, detyrohet të ulë ndjeshëm çmimet.
Çmimi i naftës së papërpunuar ruse të tipit Urals ka rënë ndjeshëm. Sipas analistëve të Bloomberg, aktualisht rafineritë indiane po marrin oferta me zbritje deri në 7 dollarë për fuçi krahasuar me çmimin referencë Dated Brent. Kjo është zbritja më e madhe që nga viti 2022 dhe gati dyfish më e lartë se periudha para sanksioneve të fundit, kur zbritja për Urals ishte rreth 3 dollarë për fuçi.
Pas sanksioneve të reja amerikane ndaj kompanive gjigande ruse si Rosneft dhe Lukoil, volumi i naftës ruse drejt Indisë ra ndjeshëm. Si reagim, rafineritë indiane filluan të kërkojnë furnizues të tjerë, kryesisht nga Lindja e Mesme. Por tani situata po ndryshon shpejt, çmimet super të ulëta po i bëjnë disa rafineri indiane të rikthehen drejt naftës ruse – por vetëm nga shitës që nuk janë në listën e zezë të sanksioneve.
Problemi është se vetëm rreth 20% e ngarkesave të ofruara vijnë nga kompani jo të sanksionuara. Me fjalë të tjera, opsionet e sigurta dhe ligjore për blerje pa rrezikuar shkelje të sanksioneve janë shumë të kufizuara.
Pavarësisht presionit global, Azia (dhe sidomos India) mbetet rajoni i vetëm ku eksportet ruse të naftës kanë mbetur relativisht të qëndrueshme që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Prandaj Moska po bën ulje agresive çmimesh për të shmangur humbjen përfundimtare të klientëve të mëdhenj indianë dhe përë kundërveprimit të rafinerive drejt furnizuesve të tjerë si Arabia Saudite, Iraku dhe Emiratet.
