Dhjetori teksa është muaji më i bukur i vitit, pasi kulmon me festën e Krishtlindjeve, padyshim që është dhe periudha ku familjet shpenzojnë më shumë. Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj pohoi në emisionin ‘News24 Fundjavë’ se gjatë dhjetorit rriten rastet e kredimarrjes, kredi apo dhe overdrafte në banka.
Sipas tij, vetëm rreth 52% e shqiptarëve arrijnë që të kursejnë të ardhura, ndërsa pjesa tjetër e ka të vështirë. Ai tha se remitancat rriten pak në këtë muaj, por prapë është e papërfillshme.
“Rriten kërkesat për overdraft 10-15 % gjatë festave të fundivitit. Kjo ka rritur dhe borxhet në këtë kohë. Dinamika e të ardhurave të Shqipërisë është e ndryshme nga ajo e rajonit. Duke qenë se nuk u ngelet shumë mundësi për të kursyer, pasi pjesa më e madhe e buxhetit shkon për gjerat bazë, kemi rritje të rasteve të kredisë. Huamarrja nuk është thjesht një zgjedhje, por domosdoshmëri e strukturave të të ardhurave të familjes shqiptare. Kjo reflektohet dhe te fuqia blerëse e këtyre të ardhurave. Pjesa e pamundësisë për të kursyer, është e madhe, pasi vetëm 52% e shqiptarëve mund të kursejnë. 1/3 familje ka krijuar borxhe, që vijnë dhe nga faktorët kulturoro-social. Dhuratat nuk është se zënë peshën kryesore të huamarrjes. Huatë merren kryesisht për edukimin e fëmijëve, për shpenzime mjekësore, apo arredime shtëpie. Kulturë kursimi shqiptarët kanë për aq sa i lejohet. Kemi një moment ku ka një ritëm konsistent të remitancave. Mund të ketë një rritje të lehtë të remitancave, por kjo nuk ndikon.”, tha ai.
