SHIJAK- Kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, z. Redi Saraçi ka zhvilluar një takim me gratë e Shijakut. Saraçi i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të mos diskriminojë votuesit dhe kandidatët e djathtë. Ai nënvizoi se Rama është vetëm kryetar i partisë së tij.“Kryeministri Shqiptar thotë nëse fiton një kandidat i Partisë Demokratike unë nuk do investoj në zone. I bëj pyetje Kryeministrit Rama: ‘Po mirë mor zotëri, dakord, 60 %, se ne do të fitojmë me 70- 80% këtu në zonën tonë, po 20 % që ka votuar për ty, a nuk janë elektorat ata, nuk janë njerëz që të kanë besuar ty, nuk meritojnë ata rrugë, ujë, a nuk janë shqiptar ata?’. Pra, ai është Kryeministër vetëm i partisë së vet”,- tha Saraçi. Kandidati i APPD-së tha se do të jetë kryetarë i të majtëve dhe i djathtë. “Unë, do jem Kryetar i Bashkisë së çdo qytetari, i majtë,i djathtë qofshin ata. Kandidati tjetër ka dalë me tezën që do të bëjë një poligon qitjeje. Ore unë bëj ppyetjen: “A jeton këtu ai?” Poligon qitjeje, pra, është luks, ne s’kemi për të ngrënë bukë”,- tha Saraçi.

Saraçi nënvizoi se do të bëjë parqe dhe lulishte për fëmijët dhe për pensionistët të cilët qëndrojnë në mes të pluhurit për tu zbavitur. “Absolutisht do bëjmë parqet, do bëjmë lulishtet, do bëjmë ambientet për fëmijët dhe për moshën e tretë. Është turp, por të dalësh në Pazar të Shijakut e të shohësh te Posta dhe te pluhuri mes atyre pemëve dhe lulishteve, që ata janë gjyshërit tanë, janë njerëzit tanë, janë njerëz që kanë investuar te ne. Njerëzit që na dhanë Kulturën dhe arsyeja që ne jemi sot këtu. Unë shoh mësuesit e mi, ata që na shkolluan rrinë sot aty e luajnë domino, se nuk kanë një ambient dinjitoz ku të rrinë”, tha Saraçi.Saraçi premtoi se më shumë se gjysma e administratës së bashkisë do të jenë femra, pasi, sipas tij, gratë janë më produktive.“Sapo të marr detyrën, absolutisht më shumë se 50 % e përfaqësimit në Administratën e Bashkisë do të jenë gra, sepse jeni me produktive ç’është e vërteta. Me këtë buxhet 6 Milion Dollarë ne kemi parashikuar të mbyllim të gjithë nevojat që ka komuniteti jonë. Duke filluar nga Pallati i Kulturës. Do bëjmë një Pallat Kulture modern, poli funksional, sepse do kemi brenda një muze, një bibliotekë, do kemi brenda të gjithë shërbimet e mundshme në mënyre që ne si qytetarë të quhemi qytetarë. Nuk mund të jesh qytetar, po nuk pate atë shërbimin bazë. Ne do jemi një zonë e tërë, nuk do të ketë më Maminas, nuk do të ketë më Xhafzotaj, nuk do të ketë më Gjepalaj, do të jemi të gjithë shijakas. Nuk e di nëse mbani mend sa vite keni pa parë një teatër, pa parë një film në kinema, apo jo…”, nënvizoi ai.

Duke ju premtuar një qeverisje të denjë për Shijakun, Saraçi tha se në katër vite do të punojmë aq shumë sa mandatin tjetër mos të shkoj të kërkoj votë. “Ky është objektivi jonë, normalisht në këto 4 vite do punojmë me integritet, do punojmë me sinqeritet, do punojmë me dëshirë dhe ju garantoj këtë, që mbas 4 viteve nuk do ketë më asnjë lloj nevoje që t’ju vijmë t’ju kërkojmë votën. Do thoni ju pse? Sepse me punë që do bëjmë në katër vite, nuk do të lëmë asnjë gjë nga këto që ne premtuam”, premtoi kandidati I APPD-së. Një grua e pranishme në takim tha se në shkolla mungojnë oborret e shtruara dhe tualetet.“Oborret e shkollës janë tmerr, kur vijnë fëmijët në shtëpi, sikur kanë qenë në minierë. Rruga kur shkon në shkollë dhe shkolla 9- vjeçare janë skandaloze për fëmijët që rrinë dhe luajnë aty. Një tualet, vijnë me vrap në shtëpi se nuk kanë kushte”, tha ajo. Saraçi tha se prioritet i qeverisjes do të jenë rikostruktimi i shkollave dhe rrugët që lidhin ato.“Shkolla do të jetë prioritet kryesor. Dhe ne e kemi një nga prioritetet tona shkollat. Gjimnazi i Shijakut do bëhet një nga gjimnazet më bashkëkohorë të zonës sonë. Pra, janë prioritete të cilat i kemi parashikuar në buxhet, dhe janë prioritete që ne do ti realizojmë patjetër”, tha Saraçi.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: