Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Sarandë, ku një 44-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi ka rënë nga lartësia e një objekti.

Burime zyrtare bëjnë me dije se i dëmtuari është shtetasi Besnik Lika, banues në Sarandë. Ai është paraqitur me urgjencë në spitalin e qytetit bregdetar, pasi dyshohet se ka rënë nga soleta teksa po punonte për riparimin e çatisë së një objekti në lagjen nr. 4.

Bluzat e bardha të spitalit të Sarandës njoftojnë se 44-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore, specifikisht një frakturë torakale tetë (T8), e cila i ka shkaktuar paralizë të gjymtyrëve të poshtme (këmbëve).

Për shkak të gjendjes së tij kritike shëndetësore dhe nevojës për ndërhyrje më të specializuar, mjekët e Sarandës kanë vendosur nisjen e tij urgjente me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë në punë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb