Kanë mjaftuar vetëm pak orë hetime intensive nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë për të zbardhur të vërtetën rreth armës që alarmoi qytetin bregdetar mëngjesin e kësaj të mërkure. Pistoleta, e cila u gjet e hedhur në një lulishte mbi plazhin “Centrali” përgjatë shëtitores “Naim Frashëri”, nuk ka qenë një armë e vërtetë zjarri.
Burime zyrtare nga policia e Sarandës sqarojnë se pas verifikimeve dhe ekspertizës së kryer mbi mjetin e sekuestruar, ka rezultuar se bëhet fjalë për një armë imituese me sfera plastike.
Sipas autoriteteve, objekti në fjalë kishte një ngjashmëri perfekte me një armë zjarri reale të tipit “Glock”, çka ka mashtruar fillimisht edhe efektivët e Policisë Bashkiake që e pikasën gjatë patrullimit në orët e para të mëngjesit. Pavarësisht se rezultoi një armë lodër, policia kreu të gjitha procedurat standarde të sigurisë deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
