Ndonëse është i treti konkurrent që tërhiqet nga gara, Sardi tregoi se Samanta Karavella dhe Kejsi Tola u larguan para tij nga konkurrimi në Festivalin e Këngës, por arsyet e tyre ai nuk i di dhe, me sa duket, nuk kanë lidhje me arsyet e tij. E ftuar të shtunën në “Më lër të flas”, Samanta tha se kënga e saj ishte ritmike dhe se ajo kishte nevojë që ta shoqëronte me performancë, por kjo nuk iu lejua. Ndërsa Kejsi Tola, në një telefonatë me vëllezërit Veshaj nga programi, tha se arsyet e saj janë personale, pa u ndikuar nga aludimet se dihet fituesi apo se Festivali është i shitur.

Sardi, këtë të hënë ka zbuluar se edhe lajmet që fliten lart e poshtë, si çdo vit, për fituesin e paracaktuar të festivalit, në fakt, ai nuk i ka besuar, por kur kanë dalë, tregon se diçka ka pasur. Po këtë vit ç’po ndodh? Sipas shumë aludimeve, thuhet se artistët janë tërhequr nga Festivali i Këngës, sepse është i shitur dhe se atë do ta fitojë Elsa Lila.

“Kështu flitet. Unë, emrin e Anxhelës e kam ditur që në maj. Emrin e Ronelës e dija nga qershori, që e ka fituar Ronela. Nuk e besoja, por kur dalin… Vjet, Albina ka qenë e paparashikueshme. Askush nuk e ka pritur, ka qenë një festival më ndryshe. Sivjet, flitet që e ka fituar Elsa. Mund të jetë ndonjë surprizë, por nuk është kjo arsyeja që kam ikur…”, tregon këngëtari.

Një arsye që ai u tërhoq është se, sipas tij, niveli i festivalit është shumë i ulët. Gjithsesi, edhe nëse e fiton Elsa Lila, Sardi u shpreh se nuk do ta kishte problem po ta meritojë: “Është muhabet shumë i ulët. Kjo më erdhi keq, që festivali ka rënë në nivel kaq të ulët. Ta dish ti, cili është shkaku… Ndihem në siklet, do e them në një moment tjetër. M’u duk shumë joprofesional, nuk e meriton festivali që të ketë një nivel të tillë. M’u duk niveli i festivalit shumë i rëndë. i festivalit, jo i artistëve. Po e fitoi Elsa, në rast se e ka këngën e mirë aq sa vjet, ose edhe më të mirë, e meriton pa dyshim, jam fans i këngës vjet. Nuk më vjen keq edhe nëse do isha në garë me të, po thjesht ta meritojë”,– përfundoi Sardi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: