Milani ndalet sërish përballë skuadrave të sapongjitura në elitën e futbollit italian. Pas Cremonese dhe Pisës, të dielën në mesditë ishte Sasuolo, që frenoi kuqezinjtë, që humbën kështu një shans të artë për të kryesuar kampionatin. Në “San Siro” përfundon 2-2 një ndeshje spektakolare dhe plot emocione. Miqtë kalojnë të parët në avantazh në minutën e 13-të me Koné, pas asistit të Pinamontit. Reagimi kuqezi vjen në minutën e 34-të me Bartesagin, që barazon rezultatin.
Në nisje të pjesës së dytë Milani përmbys gjithçka: sërish Bartesagi shënon në minutën e 47-të dhe vendasit duken në kontroll. Megjithatë, kuqezinjtë nuk arrijnë ta mbyllin takimin, me dy gola të anuluar për faull dhe pozicion jashtë loje. Në minutat finale Sasuolo rikthehet në lojë dhe barazon me Laurienté, i cili pak më vonë godet edhe shtyllën, duke qenë pranë fitores.
Bilanci për skuadrën e Masimiliano Alegrit mbetet zhgënjyes: dy pikë të humbura dhe vështirësi të përsëritura ndaj skuadrave më modeste. Pas ndeshjes, Alegri nuk e bëri dramë barazimin ndaj Sassuolos, duke vlerësuar paraqitjen e ekipit: “Bëmë një ndeshje të mirë dhe sulmuam me cilësi kundër një mbrojtjeje të vendosur. Te të dy golat e pësuar mund të ishim më të vëmendshëm, por në përgjithësi ekipi luajti mire. Sot duket si dy pikë të humbura, por kjo pikë do të rezultojë e dobishme. Tani duhet të përqendrohemi te Superkupa”.
