Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka reaguar në mbështetje të gazetarit Osman Stafa, duke dënuar ashpër sulmet dhe përpjekjet për intimidim ndaj tij. Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa e cilëson Stafën si një nga gazetarët i njohur për denoncimet e padrejtësive, korrupsionit dhe abuzimeve, si dhe për angazhimin e tij në kauza publike.

Sipas saj, sulmet ndaj gazetarit nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një klime presioni ndaj medias së lirë dhe zërave kritikë, ndërsa shpreh solidaritet me Osman Stafën dhe çdo gazetar që, sipas saj, vijon të ushtrojë profesionin pa u nënshtruar ndaj presioneve.

Reagimi

Osman Stafa është një nga gazetarët më profesionistë në Shqipëri. Prej vitesh ai ka qenë në terren, duke denoncuar padrejtësi, korrupsion dhe abuzime, ndërsa si aktivist ka qenë në krah të kauzave publike dhe sot në vijën e parë të protestës si qytetar i përgjegjshëm. Sulmet dhe përpjekjet për intimidim ndaj tij nuk janë raste të izoluara. Janë metoda të një pushteti që, kur nuk ka argumente, zgjedh presionin, frikësimin dhe goditjen e zërave kritikë. Kjo është vazhdimësi e një klime armiqësore ndaj gazetarëve dhe medias së lirë, për të cilën edhe raportet e Bashkimit Europian kanë ngritur shqetësim, duke evidentuar presionin, intimidimin dhe pasigurinë me të cilën përballen gazetarët në Shqipëri. Osmani punon në News24, media që ka transmetuar pa ndërprerje protestën qytetare, i ka dhënë zë qytetarëve dhe ka qenë vetë objekt sulmesh e presionesh nga pushteti. Organizata ndërkombëtare të medias dhe institucionet europiane kanë shprehur shqetësim për veprimet ndaj News24, duke i konsideruar cenim të lirisë së medias. Vetë Osman Stafa ka qenë më parë objekt kërcënimesh për shkak të investigimeve dhe raportimeve të tij në interes publik, çka tregon se sulmet ndaj tij nuk lidhen me një individ, por me përpjekjen për të heshtur gazetarinë e pavarur. Por nuk do t’ia dalin. Nuk do të mbyllin gojën e Osman Stafës dhe as zërin e qytetarëve. Sa më shumë presion ushtrojnë, aq më qartë kuptohet se e vërteta i shqetëson. Solidaritet me Osmanin dhe me çdo gazetar që refuzon të nënshtrohet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb