Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate të ashpra, ndërkohë që kryefjalë e diskutimit kanë qenë protestat masive që po mbahen në Tiranë prej 25 ditësh.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka debatuar ashpër me kreun e grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla, ku ka kërkuar mbajtjen urgjente të një mocioni me debat me Ramë.
Blushi-deputetëve të PS: Hapni sytë dhe veshët dhe dëgjoni zërin e qytetarëve ose tregoni për çfarë ju ka marrë peng Edi Rama që s’keni as kurajon që pati Marjana Koçeku. Edi Rama nuk mund t’u fshihet më sovranit dhe llogaridhënies. Nuk mund të ketë rend dite në seancë plenare veç kërkesave legjitime dhe shumë të drejta të protestuesve. Meqenëse Rama nuk ka as guxim dhe as këllqe të ballafaqohet me shqiptarët në shesh, të vijë të përballet në Kuvend urgjentisht! Parlamenti Europian flet për kërkesat e protestuesve në Tiranë, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë refuzon të flasë për to. A ka absurd më të madh? Parlamenti nuk mund të përfaqësojë vetëm interesat mafioze të Edi Ramës, por duhet të ketë kryeagjendë kërkesat e shqiptarëve. Të votohet urgjentisht në Kuvend ndryshimi kushtetues për kufizimin e mandatit të Kryeministrit në vetëm 2 mandate. Mbështetja e kërkesës edhe nga PD tregon qartë se ka vetëm një pengmarrës të demokracisë, rotacionit, llogaridhënies, standardeve europiane të qeverisjes së mirë dhe lirive e të drejtave të shqiptarëve, i cili është Edi Rama. Partia e Lirisë shpreh vullnetin për ta miratuar menjëherë këtë ndryshim kushtetues, që i jep fund pengmarrjes mafioze të qeverisjes. Keni kurajon që pati Marjana Koçeku dhe braktisni varkën e Edi Ramës nëse nuk mendoni që të mbyteni bashkë me të. Kuvendi duhet të reagonte menjëherë për kërcënimet që ka marrë Neomalesorja nga bandat e lidhura me Edi Ramën.
