PRISHTINE- Kuvendi i Kosovës mbajti sot seancën e parë konstituive që me sa duket ka dështuar. Përbërja e re e Kuvendit, ka dalë si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor.
Në seancën e sotme, fillimisht pritej formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Deputetët e zgjedhur gjithashtu do të votonin për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Por PAN nuk i ka pasur votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. PAN dhe PDK propozuan shtyrje të seancës por kjo gjë u hodh poshtë me 60 pro e 60 kundër. Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci ka mbyllur punimet e seancës së sotme. Mbesin paqartësi se si do të procedohet tutje.
Pas konstituimit të Kuvendit, do duhet të fillojë edhe periudha prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë së re.
Hoxhaj: Kemi një situatë të re
Deputeti koalicionit PAN, Enver Hoxhaj, pas mbylljes së seancës nga kryesuesi i saj, Adem Mikullovci, ka thënë se tanimë kemi një situatë të re.
“Kërkesa e jonë si subjekt që i ka fitu këto zgjedhje ishte që të ketë dy orë pauzë dhe që brenda dy orëve në konsulta me partnerët ta propozojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kryesuesi e mbylli seancën dhe tani kemi një situatë të re. Tash i takon sekretarisë dhe Kuvendit që ta interpretojë këtë akt legal. Kurdo që kjo të vazhdojë seanca ne do të propozojmë kandidatin tonë. Vendi ka nevojë që institucionet të konsolidohen. Dy orë nuk janë shumë”, ka thënë Hoxhaj.

PAN-i kërkon pauzë për konsulta, por kryesuesi Mikullovci nuk e lejon
Koalicioni PDK–AAK–Nisma në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar pushim dy orë për konsulta shtesë.
Megjithatë, kjo kërkesë e deputetit, Enver Hoxhaj, nuk ka hasur në pajtueshmëri me kryesuesin, Adem Mikullovci.
Ai nuk ka arsyetuar kërkesën pasi tha se PAN-i është vonuar fillimisht edhe në seancë.
Mikullovci vuri në votim propozimin e Hoxhajt për pushim deri në ora 14:00. Deputetët votuan kërkesa për pauzën e votuan me 60 vota pro dhe 60 kundër.
Haxhiu konfirmon: VV nuk e përkraë Veselin për kryetar të kuvendit
Deputetja nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se VV nuk do të përkrahë propozimin e koalicionit PAN për të votuar Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu i ka bërë thirrje PAN-it që të japë propozim të ri, pasi nuk e cilëson Kadri Veselin si figurë unifikuese.
“Situata është e qartë për secilin prej nesh. Si pasojë e pa përgjegjësisë së koalicionit PAN u vonua formimi i komisionit të verifikimit të mandateve”.
“Ne jemi të gatshëm për pikat tjera të rendit të ditës. Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrah Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, nuk do ta japë votën për të. Nuk e konsiderojmë atë si figurën unifikuese. I bëjmë thirrje koalicionit PAN të reflektojë dhe të sjellë propozime të reja”, ka theksuar Haxhiu para gazetarëve në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Ky është betimi që duhet ta bëjnë deputetët
Deputetët pritet që për pak minuta ta bëjnë betimin e tyre në Kuvendin e Kosovës. Tashmë para secilit deputet gjendet letra e betimit që ata duhet ta bëjnë, para se ta votojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit, njofton Klan Kosova.
Këto janë fjalët që ata duhet t’i thonë gjatë betimit.

Tri pikat e rendit të ditës
Në agjendën zyrtare të publikuar nga Kuvendi i Kosovës për seancën e sotme janë tri pika të rendit të ditës:
1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
2. Dhënia e betimit të deputetëve,
3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
KUVENDI PRITET TË NISË PUNËN ME PËRPLASJET E PARA RRETH KRYETARIT
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të jetë sfida e parë, me të cilën do të përballen deputetët e legjislaturës së gjashtë të vendit, e cila pritet të konstituohet të enjten, më 3 gusht.
Propozimi i kandidatit për kryetarin e Kuvendit do të bëhet nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, i cili radhitet si subjekti i parë politik me më së shumti ulëse të fituara në Kuvend.
Përderisa përfaqësuesit e koalicionit PAN ende nuk e kanë sqaruar nëse i propozuari i tyre do të jetë lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se do të votojnë kundër zotit Veseli për postin e të parit të Kuvendit. Paralajmërime të ngjashme ka bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit e as të nominuarin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, për kryeministër të Kosovës.
Memli Krasniqi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar përfundimtar nëse Veseli do të propozohet për kryetar të Kuvendit.
Por, Albulena Haxhiu, deputete e zgjedhur e Lëvizje Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e këtij subjekti politik, i cili është i dyti me radhë për kah numri i ulëseve në Kuvendin e Kosovës, do të marrë pjesë në mbledhjen konstituive të Kuvendit. Ajo ka ripërsëritur se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, do të votojnë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.
Por, Haxhiu ka shtuar se , marrë parasysh aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili i jep të drejtën subjektit politik me më së shumti ulëse në Kuvendin e Kosovës që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në këtë rast koalicionit PAN, atëherë, siç thotë ajo, propozimi i një emri tjetër nga ky koalicion ka mundësi ta marrë përkrahjen e deputetëve të Kuvendit.
Sidoqoftë, konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit të tij, i hapë rrugë krijimit të Qeverisë së re të vendit. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, formimi i Qeverisë i takon koalicionit PAN, por kërkohet që ky koalicion të sigurojë minimumin prej 61 votave. Përfaqësuesit e këtij koalicioni, kanë thënë se pas konstituimit të Kuvendit, brenda një kohë shumë të shkurtë do të mbahet edhe seanca e dytë e Kuvendit, ku do të votohet për Qeverinë e re.
(m.k/el.sp/BalkanWeb)
