Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e News24, ka folur për seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar atë si një rast të paprecedentë në Shqipëri.

Sipas Lalës, rëndësia e kësaj seance lidhet me faktin se për herë të parë institucionet e drejtësisë kanë pezulluar një zv/kryeministre, çka e bën të domosdoshëm një interpretim kushtetues. Ajo shpjegoi se SPAK i është drejtuar GJKKO-së për masën ndaj Ballukut, ndërsa Kryeministria pretendon se kjo përbën ndërhyrje në punët e qeverisë.

Nga ana tjetër, sipas Lalës, SPAK ka argumentuar se nuk ekziston konflikt mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv dhe se kryeministri Edi Rama nuk është i kërcënuar, pasi nuk është subjekt i masës së sigurisë. Po ashtu, SPAK ka theksuar se një subjekt i drejtohet Gjykatës Kushtetuese vetëm kur cenohet drejtpërdrejt interesi i tij.

Gazetarja u ndal edhe te roli i Gjykatës Kushtetuese në këtë proces, duke theksuar se ky gjykim duhet të vendosë balancat mes pushteteve. “Në këndvështrimin tim, një anëtar i kabinetit qeveritar mund të pezullohet nga detyra, pasi nuk është i zgjedhur drejtpërdrejt, por emërohet mbi bazën e vullnetit politik të kryeministrit, jo me votën e qytetarëve”, u shpreh Lala.

Ajo theksoi se Belinda Balluku nuk ka marrë vota për të qenë zv/kryeministre apo ministre, por vetëm për të qenë deputete, status që sipas saj nuk është prekur nga masa e marrë nga gjykata.

Sipas Lalës, në këtë proces të dyja palët kanë paraqitur pretendimet e tyre: Këshilli i Ministrave ka argumentuar se po i cenohen kompetencat, ndërsa SPAK ka pretenduar se ndërhyrja politike po cënon pavarësinë e një institucioni që duhet të funksionojë i lirë nga ndikimet politike.

Në përfundim, gazetarja shprehu bindjen se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të vonojë më shumë se 10 ditë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb