Avokatët e Sali Berishës, i pandehur për korrupsion lidhur me dosjen “Partizani” i kërkuan gjykatës së Posaçme të thërrasë si dëshmitar kryeministrin e vendit Edi Rama.

“Është dëshmitar kyç sepse ai mori vendim për ndryshimin e destinacionit të pronës. Pa veprimin e tij, nuk do të ishim në këtë seancë. I kemi bërë kërkesë dhe SPAK që ta merrte në pyetje dhe nuk ka pranuar”, tha Genc Gjokutaj.

Mbrojtësi ligjor të merret ai provë edhe DVD e fjalimit të Ramës ne asamblenë e PS-së ku sipas tij orienton SPAK që të nisë hetimet për ish-kryeministrin Berisha.

Më herët gjatë seancës gjyqësore avokatja tjetër Klodiana Gjyzari paraqiti argumentet për dosjen, duke synuar rrëzimin e provave të prokurorëve të posaçme. Sipas avokates ka mungese te faktit penal dhe SPAK nuk ka arritur te identifikojë në kërkesën për gjykim veprimet konkrete të Berishës përmes të cilave ka shkelur ligjin.

“SPAK e akuzon Berishën për një veprimtari të tërë administrative, kur do te duhet te ndante veprime konkrete. Te tregonte para gjykatës pasojën që kanë sjellë këto veprime. Aktet që përmend Prokuroria nuk kanë karakter individual, por të përgjithshëm. Në kërkesën e vetë, SPAK ka gjetur fajtorin dhe më pas fajin që është kryer. SPAK nuk ka sjell asnjë provë që Berisha ka rënë më një marrëveshje paraprake për privatizimin dhe më pas e ka kryer përmes akteve ligjore dhe nënligjore që në përfundim të merrte ryshfetin përmes dhëndrit të tij”, tha Gjyzari.

Sipas saj, ndjekja penale ndaj Berishës ka qenë e ndikuar politikisht.

“Këto pretendime mbështeten në deklarata të kryera nga kryeminiatri Edi Rama, ambasadorja Yuri Kimi dhe ish zyrtari amerikan Escobar. Edi Rama i ka bërë thirrje SPAK të hetonte çështjen dhe në deklarata publike i ka mësuar edhe si duhet ta bënte këtë hetim. Shumica parlamentare ka bërë një kallëzim, vlerësimi i të cilit ka kaluar afatet dhe tregon veprimtarinë e SPAK nën ndikimin politik. Ai kallëzim po ashtu mbante rrethana të rreme dhe SPAK nuk e ka hetuar këtë fakt”, theksoi më tej Gjyzari.

Ajo u ndal edhe tek vizita në Shqipëri e këngëtarit të njohur Riccardo Cocciante që citohet në aktakuzën e SPAK. “Si ka përfituar Berisha nga vizita e Riccardo Cocciante? Duhet ta përcaktojnë prokuroria”, tha avokatja.

Sali Berisha akuzohet nga SPAK për favorizimin e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”. I pandehur edhe dhe Malltezi dhe disa persona të tjerë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: