Zhvillime të reja janë shënuar në seancën e radhës në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi Erion Veliaj ka kërkuar ndryshimin e përfaqësimit ligjor.
Veliaj ka kërkuar të përfaqësohet nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, si avokat mbrojtës i tij.
Prokurori i çështjes, Altin Dumani, u shpreh se Veliaj ka marrë dijeni për zhvillimin e seancës dhe ka paraqitur kërkesën për këtë ndryshim. Megjithatë, Dumani ngriti shqetësimin për një konflikt të mundshëm interesi, duke theksuar se Ndreca është pyetur më herët në kuadër të këtij procedimi penal.
Sipas tij, kjo situatë mund të përbëjë kushte papajtueshmërie për ushtrimin e rolit të mbrojtësit në këtë çështje.
Ndërkohë, prokurori theksoi se i pandehuri Meriman Palushi ka mbetur pa përfaqësim ligjor, pasi avokatja e tij ka hequr dorë nga mbrojtja. Për këtë arsye, ai kërkoi që gjykata t’i caktojë një avokat kryesisht.
E njëjta kërkesë u bë edhe për të pandehurën Ina Goxhaj, e cila, sipas prokurorisë, ka marrë dijeni për seancën, por duhet të përfaqësohet nga një avokat i caktuar nga gjykata.
