Një ditë pas situatës problematike të krijuar në aksin alternativ, ku Autoriteti Rrugor Shqiptar devijoi trafikun pas bllokimit të segmentit Librazhd–Pogradec, News24 ka zbritur sërish në terren për të parë nga afër gjendjen në këtë aks rrugor.

Mëngjesin e kësaj të diele qarkullimi paraqitet i normalizuar, por problematikat në infrastrukturë mbeten të dukshme.

Në aksin Maliq–Lozhan–Strelcë vërehen shembje në disa pjesë të gjatësisë së tij, çarje të asfaltit si dhe rrëshqitje anësore që kanë prekur trupin e rrugës.

Pas kilometrit të 13 duken edhe deformime të barrierave mbrojtëse, ndërsa gjurmët e rënies së dherave dhe gurëve në anë të rrugës janë ende të pranishme.

Shembjet e përsëritura dhe dëmtimet në këtë aks kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi cilësinë e punimeve të kryera nga kompania Gjikuria, ndërkohë që ndërtimi i këtij segmenti rrugor ka kushtuar rreth 1.4 miliardë lekë.

Për t’iu rikthyer edhe njëherë devijimit të lëvizjes në aksin alternativ, një ditë më parë situata u rëndua ndjeshëm pas bllokimit të tre trajlerave në zonën e Moglicës.

Prania e mjeteve të tonazhit të rëndë në një segment me probleme infrastrukturore shkaktoi trafik të gjatë dhe paralizim të përkohshëm të qarkullimit.

Forcat e Policisë ndërhynë në terren për menaxhimin e situatës dhe për normalizimin e lëvizjes, duke bërë të mundur hapjen graduale të qarkullimit pas disa orësh vështirësish.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb