Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kritikuar ashpër regjimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, duke e akuzuar për refuzim të bashkëpunimit me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër narkoterrorizmit.
Gjatë një deklarate publike, Rubio tha se ekziston vetëm një regjim që nuk bashkëpunon me SHBA-të në këtë betejë globale. “Ka një vend që nuk bashkëpunon dhe ai është regjimi ilegjitim në Venezuelë. Jo vetëm që nuk bashkëpunon me ne, por ai bashkëpunon hapur me terroristë dhe elementë kriminalë,” u shpreh Sekretari i Shtetit.
Sipas Rubio-s, mungesa e bashkëpunimit nga Karakasi zyrtar përbën një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, duke lejuar që rrjetet e trafikut të drogës dhe grupet kriminale të veprojnë lirshëm.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur administrata amerikane po shton presionin diplomatik ndaj regjimit të Maduro-s, të cilin Uashingtoni e konsideron të paligjshëm, duke e akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe lidhje me krimin e organizuar.
