NGA KLODIANA LALA*
TIRANË- Një njohje në rrjetin social “Facebook” i ka kushtuar jo pak një vajze 15-vjeçare. E mitura ka pranuar kërkesën për shoqëri nga një djalë, me të cilin ka pasur komunikime për disa ditë me radhë derisa kanë vendosur të takohen. Djali, që më vonë është identifikuar si Ervin B., ka shkuar poshtë shtëpisë së vajzës, e ka marrë atë me makinë dhe kanë dalë së bashku. Sipas vajzës, ai e ka çuar në Pyllin e Sodës dhe jashtë dëshirës së saj ka kryer me të marrëdhënie seksuale. Por, historia nuk ka përfunduar këtu. B., që tashmë ndodhet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ka filluar ta shantazhojë të miturën.
Ai i thoshte vajzës, se e kishte filmuar atë teksa kryenin aktin seksual dhe nëse nuk i jepte para, do t’i bënte publike videon. Gjendur përpara një situate të tillë, 15-vjeçarja, nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse t’u bindej “urdhrave” të B.t. Ndaj ka vendosur që të fusë “duart” në kursimet e prindërve dhe t’ia jepte të “dashurit” të saj. Në total, sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, vajza i ka dorëzuar Ervinit shumën prej 300 mijë lekësh të reja, por nuk ka mundur të marrë guximin për ta denoncuar.
Denoncimi
Duke qenë se prindërit e së miturës kanë konstatuar se kishin mungesa në kursimet e tyre, që në krye të herës kanë dyshuar se mund të ishin marrë nga fëmijët. Në këto kushte, i kanë kërkuar vajzës së tyre të tregonte nëse ishte ajo që kishte marrë lekët. Vajza u ka rrëfyer të gjithë të vërtetën e njohjes me Ervin B. dhe se ishte pikërisht ai personi të cilit i kishte dhënë lekët, pasi e shantazhonte. Pri-ndërit e vajzës, kanë shkuar në familjen e të riut dhe kanë biseduar me djalin, por ai ka mohuar të kishte njohje me 15-vjeçaren e aq më pak ta kishte shantazhuar. Krejt ndryshe nga sa pritej, familjarët e Ervin B. kanë denoncuar në polici një të afërm të vajzës, duke pretenduar se ai e kishte kanosur me jetë. Kaq ka mjaftuar që prindërit e vajzës t’i drejtohen policisë.
Hetimet
Nga hetimet ka rezultuar se djali e ka shantazhuar vajzën dhe ai tashmë do të japë llogari para drejtësisë për akuzën e “gjobëvënies”. Ndërsa, nuk është mundur të provohet nëse ai ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën. Në seancën e parë gjyqësore, B. ka kërkuar gjykim të shkurtuar, pasi në këtë mënyrë ai përfiton ulje të një të tretës së masës së dënimit. Në seancën e radhës, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kërkojë dënimin e të pandehurit Ervin B.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
