LIBRAZHD- Policia e Librazhdit ka arrestuar një person, pasi gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur 4 armë zjarri pa leje si dhe municion luftarak. Policia bën me dije se në pranga ka përfunduar Shaban Hidri, 51 vjeç, banues në fshatin Dorez.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë publike, dhe si rezultat i bashkëpunimit mjaft të mirë Polici-Komunitet, shërbimet e Policisë Librazhd, në bazë të informacioneve të siguruara nga komuniteti, se në fshatin Dorez, Librazhd, në një banesë kishte armë zjarri, organizuan punën për verifikimin e informacionit.
Si rezultat i punës së mirëorganizuar, shërbimet e policisë gjatë kontrollit në territorin e banesës së shtetasit Shaban Hidri, 51 vjeç, banues në fshatin Dorez, Librazhd, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri ( 2 automatik dhe 2 pushkë), si dhe 140 fishkë luftarakë.
Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Shaban Hidri për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)
