Policia greke ka zhvilluar dy operacione në kufirin greko-shqiptar ku ka sekuestruar 192 kg marijuanë. Në operacionin e parë, mbrëmë në darkë në Nerajdha, Igumenicë, u ndalua një automjet brenda të cilit u gjetën dhe sekuestruan 99 pako me 106 kg 740 gram marijuanë.
Po kështu u arrestuan dy shtetas grekë, një burrë 47 vjeç dhe një grua 46 vjeçe. Ndërkohë në operacionin e dytë në Menidhi, Aitiloakarnania, u arrestua një çift shqiptar, përkatësisht 21 dhe 20 vjeç, pasi në mjetin e tyre u gjetën dhe sekuestruan 85 pako me 85 kg 915 gram marijuanë.
Prej fillimit të vitit e deri sot, në Igumenicë, Korfuz, Lefkadha, Kefalonia, Janinë, Athinë, Selanik, Artë, Aitiloakarnania, Kostur, Grevena, Follorinë, Aleksandroupoli, policia greke ka sekuestruar rreth 7.9 ton marijuanë që vinte nga Shqipëria.
(m.k/BalkanWeb)