SHKODER- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka mbyllur një baxho në Shkodër, pasi tregonte djathë në kushte të këqija higjeno-sanitare dhe jashtë standardeve. Inspektorët e AKU-së kanë kapur në flagrancë shtetasin Durim Gallubja i cili tregtonte djathë të bardhë pa asnjë lloj etikete si dhe në kushte të rënda higjeno-sanitare.

Trupa inspektuese e DRAKU, Shkodër konstatoi që subjekti, me Nipt L56411014T, dhe aktivitet “Përpunim qumësht, Baxho” kryente veprimtari në kundërshtim me stadardet e sigurisë ushqimore duke ruajtur produktin djathë në ambient frigoriferik me përmbajtje myku si dhe temperatura e trajtimit të qumështit nuk ishte në normat e lejuara.

Për sa më sipër AKU thotë se u mor masë administrative gjobë 350.000 lekë , mbyllje të aktivitetit si dhe bllokim të sasisë së produktit “djathë i bardhë” prej 120 kg, si dhe u morën mostra për analiza.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor (njësive të tregtimit e shërbimit) që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.

AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: