Policia e Korçës ka arrestuar një 34-vjeçar, pasi u kap me drogë dhe municione. Pas hekurave ra shtetasi D. M., pasi u kap me kokainë, kanabis, një shumë parash dhe municione luftarake.

NJOFTIMI I POLICISE
Devoll/Finalizohet operacioni i koduar “Braçanj”. Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, fara Cannabisi, municion luftarak dhe një shumë parash. Arrestohet në flagrancë 34-vjeçari, që i posedonte sendet e kundërligjshme.

Në vijim të punës, për goditjen e veprimtarive të paligjshme të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike, kultivimit të bimëve narkotike dhe mbajtjes pa leje të municioneve luftarake, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas në Devoll, dyshohej se i ushtronte këto veprimtari, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Devoll, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Braçanj”.

Në kuadër të këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi D. M., 34 vjeç, banues në fshatin Braçanj, Devoll. Gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Më pas nga kontrolli në banesën e tij u gjetën fara Cannabisi, një sasi municioni luftarak dhe një shumë parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: