TIRANE- Kryetari i komunës së Strugës, njëkohësisht kryetar i Lëvizjes për reforma në PDSH Zijadin Sela deklaron se në Maqedoni ashtu si edhe në vendet e tjera të Ballkanit duhet të vijojë një proces dekriminalizimi dhe pastrimi të figurave publike.
“Nese e shikojmë se çfare ndodh me procesin e dekriminalizimit të institucioneve të Ballkanit, pastrimit të figurave publike që udhëheqin, Maqedonia nuk mund të bëjë përjashtim nga procesi i dekriminalizimit. Eshtë shumë normale që të zhvillohet një fushatë për të pastruar politikën nga njerëz të cilët janë të inkriminuar” deklaron Sela në emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në News 24. Sipas tij në Maqedoni nuk janë problem gjykatat e VMRO-nizuara, por janë gjykatat e politizuara.
“Ashtu siç VMPRO-DPMNE tani ka futur në kthetrat e saj gjykatat të njëjtën gjë ka bërë edhe LSDM kur ka pasur pushtetin. Duhet të kthehet besimi në institucione dhe në shtetin e së drejtës. Prandaj ky proces patjetër që do të duhet të përfundojë nga vetë fakti se nuk mundet që në një të ardhme shumë të afërt të ulet në sallën e parlamentit evropian një deputet nga Ballkani me të shkuar kriminale pranë një deputeti tjetër nga vendet e BE-së i cili për të arritur aty ka kryer arsimin e duhur”.
I pyetur se çfarë synonte presidenti Ivanov me vendimin e tij për amnistimin e politikanëve nën akuzë, Selaj deklaron: “I ashtuajturi president i Maqedonisë ka vepruar me urdhra nga kryetari i tij që është Nikolla Gruevski. Ivanov nuk është president, por është në shërbim të një kryetari që është në rastin konkret Nikolla Gruevski, kryetari i partisë në pushtet VMRO-DPMNE. I pyetur nëse Gruevski është i rrezikuar nga prokuroria speciale Selaj përgjigjet po. “Shqetësuese është përkrahja e pakuptimtë që BDI-ja i jep Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-se në një moment kur ata po veprojnë me instinkt mbrojtjeje. Cdo ditë që BDI-ja ia jep përkrahjen që të ketë mekanizma dhe pushtet në dorë atëhere rrezikohen Shqiptarët. Prandaj duhet që sa me shpejt BDI t’i kthejë shpinën VMRO-DPMNE-se në mënyrë që këta njerëz që veprojnë me instinkt mbrojtjeje të mos kenë pushtet për tu bërë keq qytetareve dhe sidomos shqiptarëve duke pasur parasysh se në Maqedoni, historikisht prej pavarësise së saj është gjetur dalje prej krizave politike duke montuar procese politike të shqiptarët” deklaron Selaj në News 24.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)
