NGA OLA MITRE*

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar listën e re të sëmundjeve profesionale, në bazë të së cilës lindin të drejtat e përfitimit nga dega e Sigurimit të Aksidenteve në Punë dhe Sëmundjeve profesionale, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në total janë 96 lloje sëmundjesh apo agjentë të ndryshëm kimikë që i shkaktojnë ato, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të plotë listën e miratuar dje në qeveri.

Lista ndahet në 5 kategori të ndryshme, sipas llojit të sëmundjeve që shkaktohen si rezultat i ekspozimit ndaj rreziqeve, që rrjedhin nga veprimtaria e punës, ndërkohë që relacioni që shoqëron këtë vendim saktëson se risia është rifreskimi i listës së këtyre sëmundjeve, bazuar në listën evropiane të sëmundjeve profesionale. Ky vendim do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, por do t’i shtrijë efektet pas datës 1 shtator 2016. Sipas relacionit, kjo shtyrje bëhet me qëllim dhënien mundësi institucioneve shëndetësore për marrjen e masave të nevojshme për sigurimin e zbatueshmërisë së kërkesave të këtij akti.
PËRFITIMET
Ndërkaq, duke iu referuar legjislacionit në fuqi, çdo person i punësuar apo i siguruar që për shkak të aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale humbet aftësinë për punë, mund të përfitojë 4 lloje të ardhurash. Më konkretisht, mund të përfitohen të ardhura për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale, e cila përfitohet vetëm nga të punësuarit përmes raportit që jepet nga spitali ose komisioni mjeko-ligjor, deri në 12 muaj.

Masa e përfitimit në këtë rast është 100% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar, të tri viteve të fundit kalendarikë. Po ashtu, çdo person mund të përfitojë të ardhura për invaliditet të përhershëm nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale. Kjo lloj e ardhure përfitohet vetëm nga personat e siguruar, pasi të kenë marrë pagesën deri në 12 muaj për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë, ose sëmundjet profesionale.

E ardhura për invaliditet të përhershëm në punë ose sëmundje profesionale, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 67% të aftësisë për punë, e vërtetuar nga KMCAP, është e barabartë me 80% të pagës mesatare të 3 viteve të fundit të punës, por jo më pak se niveli minimal i standardit të jetesës që vendoset nga Këshilli i Ministrave.

Një tjetër kategori është e ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm nga aksidenti në punë, apo sëmundja profesionale. Ajo përfitohet vetëm nga të punësuarit, pasi të kenë marrë pagesën deri në 12 muaj për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë, ose sëmundjet profesionale. E ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm në punë, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 33% të aftësisë për punë, e vërtetuar nga KMCAP, është e barabartë me një pjesë të 80% të pagës mesatare të 3 viteve të fundit, në vartësi nga shkalla e humbjes së aftësisë për punë, por jo më pak se 50% të saj.

Po ashtu, duke iu referuar listës, mund të përfitohen të ardhura për paaftësi të përhershme në masë të vogël, nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale. Për secilën prej kategorive duhen dorëzuar dokumentet e nevojshme, që vërtetojnë “situatën” shëndetësore. (LISTËN E SËMUNDJEVE PROFESIONALE MUND TA GJENI NË NUMRIN E SOTËM TË “GAZETA SHQIPTARE”)

 

(m.k/GSH/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb