Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te situata brenda Partisë Socialiste dhe akuzat e ngritura ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar edhe arrestimin.
Sipas Baçit, reagimi i kryeministrit Edi Rama lidhet me përpjekjen për të shmangur një precedent që në të ardhmen mund ta prekë edhe vetë atë. “Kryeministri ka reaguar për të vendosur një kufi se deri ku mund të shkohet. Rama tregoi se nuk do ta lejojë një situatë të tillë gjatë kohës që ushtron pushtetin”, u shpreh analisti. Ai shtoi se Rama, në këtë rast, mendon se është shkelur kufiri nga ana e drejtësisë dhe jo nga gjykata që vendos, duke e vendosur veten politikisht në një pozicion mbrojtës dhe njëkohësisht kundërshtues ndaj SPAK-ut, institucion që ai vetë e ka mbështetur hapur.
Baçi e cilësoi çështjen si një rast të rëndë për zëvendëskryeministren në detyrë, Belinda Balluku, duke theksuar se ekziston një përgjegjësi e qartë politike. Sipas tij, situata po krijon një “vorbull” të fortë debatesh dhe kundërshtish, jo vetëm në opinionin publik, por edhe brenda vetë Partisë Socialiste. Ai nënvizoi se disa figura të vjetra brenda PS po i kërkojnë Ramës të pranojë shkarkimin ose dorëheqjen e Ballukut.
Duke folur për skenarin e një qeverie teknike, Baçi u shpreh skeptik, duke theksuar se nuk sheh arsye pse Rama duhet ta pranojë një zgjidhje të tillë. “Si mund ta kushtëzojë PD Ramën për këtë?”, pyeti analisti, duke shtuar se qetësia e kryeministrit vjen edhe për faktin se përballë ka Sali Berishën, i cili ndodhet nën akuza dhe është shpallur “non grata”.
Sipas Baçit, Berisha nuk arrin të frymëzojë protesta të mëdha, çka i jep Ramës sigurinë se Partia Socialiste do të arrijë të rikrijojë sërish qeverinë. Analisti e konsideroi këtë një problem të madh për opozitën, e cila, sipas tij, nuk po arrin t’u flasë njerëzve me mesazhet e duhura.
