Ish-udhëheqësi ushtarak serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç, do të varroset me nderime ushtarake dhe shtetërore, deklaroi ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, për radiostacionin K1.

Mlladiçi, i njohur si “Kasapi i Bosnjës” për rolin e tij në luftën e Bosnjës dhe veçanërisht në masakrën e Srebrenicës, vdiq të enjten në Hagë, ku vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Është e sigurt se gjenerali Mlladiç do të marrë të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore që meriton”, deklaroi Vujiç.

Autoritetet serbe janë në pritje të informacionit nga Haga për procedurat e kthimit të trupit. Ministri tha se Serbia është e gatshme të dërgojë përfaqësuesit e saj sapo të përcaktohen hapat e ardhshëm.

Vdekja e Mlladiçit vjen pas muajsh të gjendjes së rënduar shëndetësore. Vetëm pak ditë më parë, një kërkesë e familjes së tij dhe qeverisë serbe për transferimin e tij në një spital ushtarak në Beograd ishte refuzuar.

8 mijë boshnjakë u vranë në Srebrenicë

Ratko Mlladiçi ishte një nga figurat kryesore të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, së bashku me ish-presidentin jugosllav Slobodan Millosheviç dhe ish-liderin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç.

Lufta e viteve 1992-1995 shkaktoi rreth 100 mijë viktima dhe zhvendosi rreth 2.2 milionë persona.

Në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës nën komandën e Mlladiçit vranë rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. Masakra është cilësuar nga gjykatat ndërkombëtare si gjenocid dhe konsiderohet krimi më i rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Vendimi për nderimet shtetërore shkakton reagime

Vendimi i autoriteteve serbe për varrimin e Mlladiçit me nderime shtetërore ka shkaktuar reagime të forta në rajon.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç, shprehu shqetësim për riarmatimin e Serbisë, duke e lidhur atë me përvojën e konflikteve të viteve ’90.

Në Serbi, disa figura të opozitës kanë kundërshtuar gjithashtu nderimet për Mlladiçin, duke theksuar se vdekja e tij nuk ndryshon vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe përgjegjësinë e përcaktuar për krimet e luftës.

Ndërkohë, nga Rusia ka ardhur një reagim në mbështetje të Mlladiçit. Kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Sergei Shoigu, dënoi dënimin dhe kushtet e burgimit të ish-gjeneralit serb të Bosnjës, duke shprehur ngushëllime për familjen e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb