Serbia nuk do të shantazhohet në adoptimin e linjës perëndimore në lidhje me konfliktin në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, tha të enjten presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Beogradi ka mbajtur tradicionalisht lidhje të ngushta me Moskën dhe nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë që nga shpërthimi i armiqësive midis Rusisë dhe Ukrainës dy vjet më parë. Vuçiç ka thënë në shumë raste se qeveria e tij ka qenë nën presion nga fuqitë perëndimore për të vendosur sanksione ndaj Moskës.

“Pozicioni që ne shprehëm tetë ditë pas fillimit të konfliktit në Ukrainë është ende i vlefshëm edhe sot. Serbia është krenare për pozicionin e saj”, u tha Vuçiç gazetarëve të enjten, kur u pyet nëse ai ishte përballur me kërkesa nga presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një vizite në Paris në fillim të kësaj jave.

Vuçiç arriti marrëveshje për blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale të prodhimit francez gjatë udhëtimit të tij në kryeqytetin francez. Macron pohoi në një konferencë të përbashkët shtypi se “e ardhmja e Serbisë qëndron brenda BE-së” dhe se Beogradi duhet ta respektojë këtë me “koordinim më të madh me vendimet tona të politikës së jashtme” duke nxitur spekulimet se marrëveshja e avionëve vjen me kushte.

“Askush nuk na ka shantazhuar dhe askush nuk mund të na shantazhojë… Serbia është e vogël për nga madhësia dhe popullsia, por është e madhe në zemër dhe gjigante për nga shtetësia. Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj”, vuri në dukje Vuçiç, duke këmbëngulur se takimi i tij me Macron ishte “miqësor”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb