Një segment rrugor në fshatin Picrragë, vetëm 3 kilometra larg Krujë, është shembur si pasojë e rrëshqitjeve të dheut, duke rrezikuar banorët dhe mjetet që qarkullojnë në zonë.

Denoncimi është bërë publik nga ish-kandidati për deputet i Partia Demokratike, Aulon Kalaja, i cili ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes.
Sipas tij, rruga është ndërtuar vetëm tre vite më parë, ndërsa aktualisht paraqet dëmtime të rënda dhe rrëshqitje të konsiderueshme të dheut, që rrezikojnë një banesë pranë saj si dhe kalimtarët.

“Kjo është rruga e shembur e Picrragës, vetëm 3 km nga Kruja. Këtu jam te rruga e ndërtuar para 3 vitesh. Doja të denoncoja rrëshqitjet që kanë ndodhur në këtë rrugë, si dhe rrezikun që ka kjo shtëpi dhe këta banorë që kalojnë këtu nga rrëshqitja e dheut. Autoritetet duhet të marrin masa,” shprehet Kalaja.
Ai thekson se aktualisht rruga është e rrezikshme edhe për një automjet të vetëm, pasi nuk dihet trajektorja e mëtejshme e shembjes. Sipas tij, dy makina nuk mund të kalojnë paralelisht dhe mungon sinjalistika paralajmëruese, veçanërisht gjatë natës.

Banorët, për të shmangur aksidentet, kanë vendosur mjete rrethanore për të sinjalizuar dëmtimin e rrugës, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për riparimin dhe sigurimin e segmentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: