Për të disatën herë në një periudhë të shkurtër kohe, në Lazarat është zbuluar një tjetër parcelë e mbjellë me kanabis. U arrestua në flagrancë shtetasi Petref Gjini, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ai kishte mbjellë 48 bimë narkotike në oborrin e banesës së tij dhe për rrjedhojë u vu në pranga.
“Si rezultat i shtimit të kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Gjirokastër, goditën një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasi Petref Gjini”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i policisë:
Gjirokastër/Vijojnë kontrolle intensive, në zbatim të planit operacional anticannabis, të koduar “Koordinata”.
Arrestohet 1 shtetas që kishte kultivuar 48 bimë narkotike, në oborrin e banesës së tij, në fshatin Lazarat.
Si rezultat i shtimit të kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Gjirokastër, goditën një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasi P. Gj..
Në oborrin e banesës së tij në fshatin Lazarat, u gjetën të kultivuara 48 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)
