PRISHTINE- Kuvendi i Republikës së Kosovës ka zhvilluar seancën e radhës, e cila ka nsiur pa njërin nga deputetët më të zëshëm të opozitës, Albin Kurtin, të arrestuar të shtunën, më 28 nëntor, nga Policia e Kosovës. Megjithëse forca të shumta të policisë u pozicionuan brenda dhe jashtë Kuvendit, sërish që në fillim të seancës është hedhur gaz lotsjellës. Deputetët janë larguar nga salla dhe seanca është ndërprerë për të rinisur pasdite pa opozitën. Sot 3 deputetë të opozitës kosovare janë arrestuar duke e çuar në total në 5 numrin e tyre. Policia ka ndaluar deputetët, Ismajl Kurteshi të VV-së, Haxhi Shalën të Nisma-s dhe Fisnik Ismailin. Ndërkohë që më herët janë arrestuar edhe Donika Kadaj Bujupi e AAK-së dhe Albin Kurti i VV-së.

DY DEPUTETË NGA DRENICA NË PDK
Dorëheqja e sotme e dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa – Remi, për arsye të cilat i kanë bërë të ditura, do të sjell në Kuvend dy deputetë të rinj.

Dyshja që pritet të marrë mandatin e deputetëve sipas votimit në Zgjedhjet e Përgjithshme 2014, sipas renditjes së votave të fituara del të jenë Abdyl Ymeri (8,549 vota) dhe Bislim Zogaj (8,500 vota). Dy deputetët e rinj vijnë nga rajoni i Drenicës.

KUVENDI VOTON SELVETE GËRXHALIUN PËR GJYQTARE TË GJYKATËS KUSHTETUESE
Ora 18:26- Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë propozuar Selvete Gërxhaliun për gjyqtare të dytë të Gjykatës Kushtetuese. Ata i dhanë 66 vota Gërxhaliut.

Në votim kanë marrë pjesë gjithsej 79 deputetë. Vetëm 9 prej tyre votuan Hashim Çollakun. Gresa Cakaj-Nimani ishte kandidatja e parë propozuar për gjyqtare në Kushtetuese me votat e 58 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Cakaj-Nimani dhe Gërxhaliu pritet të dekretohen nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, gjatë ditëve në vijim.

KUVENDI VOTON PËR GJYQTARE TË GJYKATËS KUSHTETUESE GRESA CAKAJ-NIMANIN
Ora 17:50- Gresa Cakaj-Nimani është propozuar për gjyqtare në Kushtetuese me votat e 58 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë që në raundin e dytë pritet të votohet për Hashim Çollakun dhe Safete Gërxhaliun. Në votimin e parë kanë marrë pjesë 79 deputetë, 5 vota ishin të pavlefshme.

Gerxhaliu kishte 46 vota, Çollaku 23, ndërsa vetëm 10 deputetë kishin votuar për Rexhep Gashin. Cakaj-Nimani dhe kandidati i dytë që pritet të zgjidhet pas pak nga deputetët e Kuvendit duhet të dekretohen nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

48 ORË BURG EDHE PËR DEPUTETIN E NISMËS, HAXHI SHALA
Ora 17:00- Haxhi Shalës, deputetit të Nismës të arrestuar për lotsjellësin në Kuvend i është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh. Lajmin e konfirmoi Naser Sopjani, avokati i Haxhi Shalës.
“Nga ana e prokurorisë është nxjerrë vendim mbi ndalimin edhe pse ne këtë rast është i padrejtë, i panevojshëm dhe nuk ka bazë ligjore. Ai është në ndalim policor 48 orësh,” tha Sopjani.
“Klienti im deputeti Haxhi Shala, është vetëdorëzuar në polici, nuk është arrestuar. Ai është marrë në pyetje për hedhjen e gazit,” tha Sopjani. Avokati bëri të ditur edhe për çfarë dyshohet deputeti Haxhi Shala.
“Mbajtja ne pronësi, kontroll, ose posedim te paautorizuar te armëve, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm,” tha Sopjani. 48 orë ndalim sot i janë caktuar edhe deputetit të “Vetëvendosjes” Fisnik Ismajli.

KRYESIA E KUVENDIT: PËRJASHTIM INDIVIDUAL DITOR DEPUTETËVE TË OPOZITËS
Ora 16:30- Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, mori vendim për përjashtimin individual ditor të deputetëve të opozitës që kanë rënë ndesh me Rregulloren e Kuvendit, me përjashtim të deputetëve Shukrije Bytyqi dhe Ilir Deda.

Kjo bëhet e ditur në një njoftim nga zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës, derisa vazhdon seanca plenare pa praninë e opozitës, e filluar pasdite me gjithsej 81 deputetë të Parlamentit 120 anëtarësh, pas pamundësimit para mesditës nga gazi lotsjellës i hedhur nga opozita.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, pezullimin e opozitës e ka quajtur pezullim të demokracisë. “Natyrisht që nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit pa kolegët e opozitës”, është shprehur ai.

DEPUTETËT VOTOJNË PËR DY GJYQTARË TË KUSHTETUESES

Ora 16:23- Deputetët kanë filluar votimin për emërimin e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni vlerësues ka rekomanduar katër kandidatë, konkretisht Gresa Çakaj-Nimianin, Rexhep Gashin, Hashim Qollakun dhe Selvete Gerxhaliun.

Deputetët do të kenë të drejtë të votojnë vetëm për dy deputetë dhe për t’u bërë gjyqtarë të kushtetueses, kandidatët duhet të kenë dy të tretat e të pranishmëve në sallë.

​ARRESTOHET DEPUTETI HAXHI SHALA
Ora 14:31- Edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala është arrestuar nga Policia e Kosovës. Arrestimi i tij është bërë për shkak të hedhjes së gazit në sallën e Kuvendit.

DEPUTETËT E KOALICIONIT KTHEHEN NË SALLËN KRYESORE TË KUVENDIT
Ora 14:30- Ligjvënësit e pozitës janë rikthyer në sallën kryesore të Kuvendit të Kosovës ku ka nisur seanca e rregullt plenare.

Pak minuta kanë qëndruar deputetët e PDK-së në sallën alternative, por më pas deputetët janë kthyer në sallën kryesore.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka hapur vazhdimin e seancës së sotme parlamentare. Nga kjo senacë janë përjashtuar pothuajse të gjithë deputetët e opozitës.

Vetëm Shukrie Bytyqi e NISMA’s dhe Ilir Deda i VV’së i kanë shpëtuar përjashtimit nga ana e Kryesisë së Kuvendit, derisa AAK’ja është mbetur pa asnjë deputet të pa përjashtuar.

Mirëpo as Bytyqi e Deda nuk po shihen në sallë. Gjithsej në sallë aktualisht janë 81 deputetë.

DEPUTETI FISNIK ISMAJLI, 48 ORË NË PARABURGIM
Ora 14:09- Deputeti Fisnik Ismajli do të qëndrojë në paraburgim për 48 orë. Deputeti Ismajli është arrestuar sot në hollin e Kuvendit të Kosovës pasi sipas Policisë, pas kontrollit i janë gjetur dy bombola gazi. Ndërkohë lëvizja “Vetëvendosje” ka kërkuar lirimin e deputetit Fisnik Ismaili dhe të gjithë aktivistëve dhe deputetëve të tjerë.

OPOZITA I HEDH GAZ LOTSJELLËS SIGURIMIT TË KUVENDIT
Ora 14:05 – Ligjvënësit nga opozita kanë bërë përpjekje të depërtojnë përtej forcave të sigurimit, të cilët kishin bllokuar hapësirën, që çon në drejtim të sallës kryesore të Kuvendit të Kosovës, ku edhe mbahen seancat plenare.

Aty është hedhur sërish gaz lotsjellës, ndonëse ende nuk është e qartë nga kush. Pjesëtarët e sigurimit aktualisht kanë vënë maskat në fytyrë për t’u mbrojtur nga gazi.

ARRESTOHET DEPUTETI I “VETËVENDOSJE”-s, FISNIK ISMAJLI
Ora 11:36- Njësia Speciale e Kuvendit të Kosovës e ka arrestuar deputetin e lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismajli, i cili u kap në hyrje të Kuvendit me gaz lotsjellës.

KONJUFCA: NUK DO LEJOJMË MBAJTJEN E SEANCAVE
ORA 11:23 Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se opozita nuk do të lejojë mbajtjen e seancave në Kuvend.

Pas ndërprerjes së seancës, pas hedhjes së gazit lotsjellës në sallë, Konjufca ka thënë se opozita do e pamundësojë mbajtjen eseancave dhe, sipas tij, pushteti ka vetëm një zgjedhje. “Ajo është tërheqja e marrëveshjeve”, ka thënë Konjufca për gazetarët.

“Pushteti ka vendosur ta trajtojë opozitën me polici antiterroriste. Ky është fundi i demokracisë”, ka shtuar ai.

HARADINAJ: SEANCA ME POLICË, SHTETI POLICOR
ORA 11:20 Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur se mbajtja e seancës me police e bënë Kosovën një shtet policor.

“Mbajtja e seancës me policë e bënë këtë vend shtet policor”, ka thënë Haradinaj, raporton Koha.net.
Nuk tha se ku do të mbahet mbledhja e kuvendit, në sallën për këtë dedikim, apo ne një tjetër alternative.

KUVENDI I KOSOVËS SEANCË ME 35 PIKA, POLICIA ‘BLINDON’ GODINËN. VV: DO TA BLLOKOJMË
ORA 10:00 Kuvendi i Republikës së Kosovës për sot ka caktuar seancën e radhës, në të cilën do të mungojë njëri nga deputetët më të zëshëm të opozitës, Albin Kurti i arrestuar të shtunën, më 28 nëntor, nga Policia e Kosovës. Ndërkohë forca të shumta të policisë janë pozicionuar brenda dhe jashtë Kuvendit.

Përderisa dihet që qëndrimi i opozitës vazhdon të jetë i njëjtë – mosmbajtje të seancave përderisa nuk tërhiqet Qeveria nga dy marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi – Kuvendi ka paralajmëruar edhe 35 pikat e rendit të ditës.

Sot do të duhet të diskutohet, shqyrtohet dhe votohet për një rend të ditës mjaft të ngjeshur për kuvendarët kosovarë, për çka gjasat janë të vogla që të zhvillohet normalisht.

Vendimin që të vazhdojnë me bllokadën e legjislativit liderët e tri partive opozitare parlamentare – Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i Nismës për Kosovën, e kanë rikonfirmuar edhe gjatë konferencës së mbrëmshme të përbashkët për media, duke mos zbuluar se cilat mjete dhe metoda do t’i përdorin për arritjen e qëllimit.

Më poshtë sjellim të plotë rendin e ditës të paralajmëruar nga Kryesia e Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës, seanca e ditës së hënë, datë 30.11.2015, ora 11:00.

VV: DO TA BLLOKOJMË SEANCËN
Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Opozita do ta bllokojë edhe seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, mbajtja e seancës do të bëhet e pamundur nga bllokimi i foltores e deri te metodat e tjera të cilat siç tha ai “i kemi përdorur edhe më parë”.

(er.nu/el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: