Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka folur në takimin e Nivelit të Lartë të Sesionit të 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ).

Ai u shpreh se Shqipëria vjen në KDNJ pas përfundimit me sukses të mandatit në Këshillin e Sigurimit

Fjala e plotë:

75 vjet pas miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, të drejtat e njeriut dhe sistemi i bazuar në rregulla janë nën presion si kurrë më parë. Konflikti, pabarazia, ndryshimet klimatike, pandemia që të gjitha kanë luajtur rolin e tyre në ushtrimin e presionit në rritje mbi të drejtat e njeriut dhe sistemin e bazuar në rregulla.

Por sfida më e madhe ka qenë projektimi, përmes një përpjekjeje të bashkërenduar, të mirë-orkestruar për të sabotuar të drejtat e njeriut dhe sistemin e bazuar në rregulla për përfitime gjeopolitike.

Vetëm disa ditë më parë, bota shënoi përvjetorin e zymtë të fillimit të një sulmi të tillë. Më 24 shkurt 2022,  Rusia nisi luftën e saj të paprovokuar, të pajustifikuar dhe të paligjshme të agresionit kundër Ukrainës.

Gjatë dy viteve të fundit, trupat ruse janë përfshirë në një mori të tmerrshme krimesh lufte dhe krimesh kundër njerëzimit: tortura, deportimi i fëmijëve, dhuna seksuale e lidhur me konfliktin, sulme zjarri mbi civilët, lëvizjet ose zhvendosjet e civilëve, keqtrajtimi dhe ekzekutimi i të burgosurve të luftës, ndalimet arbitrare dhe vrasjet janë vetëm disa nga to gjëra që po ndodhin. Së fundmi, këtyre krimeve i shtohet edhe vdekja e liderit të opozitës Alexey Navalny – episodi i fundit i një vargu trajtimesh të tmerrshme të kundërshtarëve nga regjimi rus.

Ajo që ka qenë vërtet tronditëse, madje edhe më shumë se krimet në vetvete, është arroganca e autorëve të cilët kanë lavdëruar krimet e tyre, gjë e cila është parë nga e gjithë bota.

Autorët e këtyre krimeve duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne mbështesim plotësisht mandatin e Komisionit Hetimor dhe si anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të punojmë fort, së bashku me partnerët, aleatët dhe vendet të njëmendta drejt arritjes së objektivit për të vënë para drejtësisë autorët. Më 28 shkurt do të presim në Tiranë, Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, për të mbështetur Ukrainën dhe për të denoncuar këtë agresion të paligjshëm dhe krimet që ka sjellë ai, sepse duke vepruar kështu, ne në fakt po luftojmë për të drejtat e njeriut dhe sistemin e bazuar në rregulla.

Sigurisht që kjo nuk është e vetmja situatë që meriton vëmendjen tonë.

Një nga shqetësimet tona më të mëdha është lufta midis Izraelit dhe Hamasit dhe situata dramatike humanitare në Gaza. Shqipëria ka dënuar fort sulmin e tmerrshëm terrorist të Hamasit më 7 tetor. Përdorimi sistematik i dhunës seksuale dhe vrasjeve gjatë sulmeve, meriton vëmendjen e këtij Këshilli. Nuk ka shkak, nuk ka argument që mund të justifikojë, ose zvogëlojë tmerrin e atij krimi, ose tmerrin e refuzimit të Hamasit për të liruar menjëherë dhe pa kushte të gjithë pengjet.

Ne jemi gjithashtu thellësisht të shqetësuar nga situata humanitare në Gaza, nga shkalla e shkatërrimit, nga vuajtjet, vdekjet dhe lëndimet. Është koha që kjo tragjedi të marrë fund. Ne të gjithë duhet të punojmë për këtë qëllim. Ne duhet të gjejmë mënyra për të ndaluar luftimet, të sigurojmë ndihmën e menjëhershme humanitare për popullatën e pafajshme civile të Gazës dhe duhet të punojmë me guxim dhe vendosmëri për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për këtë konflikt, që gjatë dekadave ka shkaktuar kaq shumë pikëllim dhe tragjedi për të gjithë ata që janë të përfshirë.

Luftërat në Ukrainë dhe Gaza nuk do të na largojnë vëmendjen nga situata të tjera të rënda në botë, ku të drejtat e njeriut po shkelen, ku popullsia civile po vuan nga lufta dhe shtypja. Gratë dhe vajzat në Afganistan dhe Iran meritojnë mbështetjen tonë. Në këtë kontekst, ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për të mbështetur Misionin e Pavarur Ndërkombëtar të Fakteve për Iranin, të krijuar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

Po me kaq rëndësi, ne do të punojmë për të mbështetur pjesëmarrjen e aktorëve të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave, në punën e Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe në terren. Ky është një prioritet shumë i rëndësishëm për vendin tim.

Po ashtu jemi duke u përgatitur për ciklin e katërt të Rishqyrtimit Periodik Universal në fund të këtij viti. Kjo do të jetë një mundësi për të paraqitur veprimet që kemi ndërmarrë për të përmirësuar situatën e të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira. Zbatimi i rekomandimeve vetëm sa ka forcuar përkushtimin dhe bindjen tonë për të vazhduar promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Si anëtare e këtij Këshilli, Shqipëria zotohet të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të promovuar dhe respektuar mekanizmin e RPD.

Më lejoni të theksoj, se ne i kushtojmë rëndësi të madhe pavarësisë së Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe mbështesim plotësisht rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Le të riangazhohemi ndaj parimeve të përjetshme të të drejtave dhe dinjitetit të njeriut. Le të solidarizohemi me ata që po luftojnë për liri dhe drejtësi dhe le të punojmë së bashku, për të ndërtuar një botë ku çdo person mund të realizojë potencialin e tij të plotë dhe të jetojë me dinjitet dhe respekt.

Faleminderit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: