Që ky ka qenë një vit i keq për Ferrarin ësh të e qartë, pasi rezultatet flasin vetë, me “kokëkuqen” që nuk ka fituar asnjë garë në Formula 1. Por gjithashtu nuk mund të krahasohet performanca e Sharl Lëklerkut me atë të Luis Hamilton. Monagasku ka qenë më i qëndrueshëm dhe dukshëm më i shpejtë në timonin e makinës “SF-25” sesa shoku i tij i skuadrës.

Shtatë herë kampioni i botës, që priste një fillim të lumtur në Maranelo, u mundua pafund për të arritur rezultate të mira, por që nuk erdhën kurrë. Në fakt, 2025-a është sezoni i parë në karrierën e tij në të cilin britaniku nuk ka arritur asnjë podium të vetëm. Zero absolute. Ndërsa Lëklerk u ngjit në podium plot shtatë herë.

Ferrarit i dolën problemet që nga gara e parë dhe Fred Vasër nuk e ka fshehur aspak këtë: “Sinqerisht, sezoni ka qenë i vështirë. Që në ditën e parë në Bahrejn ishte e qartë se ritmi nuk ishte i jashtëzakonshëm. Pastaj, fillimi i kampionatit u vështirësua shumë për ne me skualifikimin në Kinë, besoj në garën e dytë. Humbëm 25 pikë, u dhamë 6 pikë rivalëve direkt dhe sezonin e nisëm me hap të gabuar”, përmblodhi shefi i Ferrarit sezonin.

NJË AGONI E NGADALTË

Ndërsa Lëklerk u përball denjësisht me rivalët e tij më të fortë, Hamilton u pa të vuante edhe në kualifikuese. Kjo ishte veçanërisht e çuditshme, duke qenë se provat zyrtare janë një nga armët e tij më të forta. Por britaniku nuk arriti të gjente mënyrën për të qenë i shpejtë me makinën italiane, as në një xhiro dhe as në garë.

Kështu, kritikat ndaj tij u shtuan. Sulme të ashpra i erdhën nga shumë drejtime. Megjithatë, shtatë herë kampioni i botës thotë se nuk i interesojnë dhe pa dyshim nuk ka ndërmend të largohet nga kategoria më e lartë e automobilizmit, siç i sugjerojnë disa prej kritikuesve të tij. “Ende kam një ëndërr që e mbaj në zemër, dhe për të punoj. Për të gjithë ata që flasin për tërheqjen time, nuk kam asgjë për të thënë. Asnjëri prej tyre nuk ka bërë atë që kam bërë unë. Pra, nuk janë në nivelin tim. Po pres me padurim pushimin. Tani nuk ka më shumë për të thënë për këtë sezon. Çfarë kisha për të thënë, e kam thënë. Tani shikoj vetëm përpara”, theksoi Hamilton.

MESAZHI I QARTË I LËKLERK

Ndërsa Hamilton ka përsëritur vazhdimisht se “i gjithë sezoni 2025 ka qenë i mbushur me një zhgënjim të padurueshëm”, shoku i tij i garazhit ka dërguar një mesazh të prerë. “Tani ose kurrë. Sezoni i ardhshëm duhet të shkojë mirë”, tha Lëklerk, i cili mund të marrë në konsideratë një largim nga skuadra nëse Ferrari vazhdon udhëtimin e tij të gjatë në shkretëtirë, një makth që zgjat që nga titulli i fundit i Botërorit të pilotëve me Kimi Raikonenin në 2007-ën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb