Asnjë ndërtim nuk do të lejohet në plazhin e Velipojës nga data 1 qershor deri më 15 shtator. Ky është urdhër i qeverisë shqiptare për të gjitha bashkitë të cilin e bëri të ditur Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni gjatë një takimi për mbarëvatjen e sezonit turistik. Prefektja Angoni u shpreh se në 3 muajt e parë të vitit ka një rritje të turizmit me 30%.

Nënkryetari i bashkisë Shkodër Onid Beleri thotë se bashkia mezi po e pret këtë sezon turistik sepse Velipoja sjell të ardhura të konsiderueshme ndërsa tregoi se sfida mbetet pastrimi dhe se pritet vendosja e shezlloneve që nuk ka përfunduar ende.

Për Vau Dejësin problem mbeten mbetjet në lumin e Shalës sepse të ardhurat për këtë zonë i merr Shkodra ndërsa mbeturinat ia lënë Vau Dejësit.

Parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe siguria në rrugë dhe plazhe janë në fokusin e policisë së Shkodrës gjatë sezonit turistik.

Shefi i postës së policisë Velipojë tregon se vijon të mbetet problem siguria në plazh për not që duhet mbuluar nga subjektet të cilat nuk zbatohen.

Një vëmendje mbetet edhe për sigurinë ushqimore. Drejtori i AKU Ramir Haderi thotë se 56 subjekte janë paralajmëruar për krijimin e standardeve të duhura ushqimore.

Në këtë takim për mbarëvajtjen e sezonit turistik u fol edhe për sfidën e pastrimit në zonat e tjera si në Alpe apo edhe sfidën e menaxhimit që kërkohet duke qenë se pritet që numri i turistëve të jetë më i madh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: