TIRANE – Në prag të çeljes së sezonit turistik dhe të praktikës së konsoliduar prej disa vitesh, Këshilli i Ministrave ka vendosur heqjen e vizave për shtetasit nga vendet e Arabisë Saudite, Katarit, Omanit, Rusisë, Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, për periudhën 15 maj – 1 nëntor 2016.
Ky vendim është marrë pas propozimit të bërë nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Ministri i Punëve të Brendshme, me sugjerim edhe të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, për Çështjet e Turizmit.
Sipas këtij vendimi, shtetasit nga vendet e mësipërme, kanë të drejtë të hyjnë në Republikën e Shqipërisë të pajisur vetëm me pasaportë pa vizë. Heqja e vizave për këto shtete bëhet me qëllim tërheqjen e turistëve të huaj për këtë sezon vjetor.
Në përgjigje të kësaj, operatorët turistikë në Oman u shprehën se edhe pse nuk ka ndonjë interes për të vizituar Shqipërinë nga qytetarët e këtij vendi, masa e marrë mund t’i nxisë qytetarët e Omanit për të kaluar pushime në Shqipëri.
(er.nu/BalkanWeb)
