Partizani do e mbyllë fazën e parë me dy sfida mjaft delikate. E para do të jetë përballë Egnatias, ndërsa e dyta ndaj Dinamos.

Kundër rrogozhinasve, të shtunën, tre lojtarë duhet të kenë kujdes për shkak të numrit të kartonëve. Bëhet fjalë për David Atanaskoskin, Redon Ismailin dhe Besar Gudjufin, ose ndryshe tre lojtarë nga mbrojtja në sulm.

GUDJUFI- Sulmuesi nuk ishtë i pranishëm në Vlorë. Kërnaja nuk e kishte në llogaritë e tij për transfertën e javës së shtatë. Gudjufi është prej kohësh me tre kartonë të verdhë. Kështu rrezikon, që nëse përfshihet me Egnatian dhe ndëshkohet, atëherë nuk do të luajë ndaj Dinamos. Gudjufi i niste katër javët e para si titullar, më pas humbi vendin në formacion dhe jo vetëm. Talenti u afrua këtë vit te Partizani duke firmosur kontratë afatgjatë dhe pritshmëritë tek ai janë të mëdha. Në Vlorë bashkë me të përfunduan në tribunë edhe Gjergji Kote, Kazim Ogunleje dhe Babukar Jata.

ISMAILI- 22 vjeçarit nga Kosova i është besuar shumë në këtë edicion. Ismaili i ka nisur si titullar shtatë javët e para dhe nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë, pritet sërish në fushë. Asnjë tjetër nuk ka pasur të njëjtin rrugëtim këtë edicion të Superiores te Partizani si Ismaili. Mesfushori u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e parë ndaj Flamurtarit. Tashmë ndodhet në kuotën e tre kartonëve të verdhë. Në rast se ndëshkohet edhe ndaj Egnatias, atëherë do të mbetet jashtë për javën e ardhshme.

ATANASKOSKI- Mbrojtësi i majtë mori një karton të verdhë ndaj Flamurtarit, ndërsa ishte koha e shtesë e ndeshjes. Kështu tashmë është edhe ai në kuotën e tre kartonëve. Atanaskoski pati një ndeshje mjaft të mirë përballë Flamurtarit. Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut duke se ka fituar besimin e trajnerit Kërnaja, duke blinduar vendin e titullarit në linjën e majtë. Atanaskoski konsiderohet si një siguri në mbrojtje dhe për këtë mungesa në derbi ndaj Dinamos nuk do të ishte e vogël.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb