Partizani pret Vllaznisë në “Arenën e Demave”, të shtunën e datës katër prill. Një sfidë ku të kuqtë do të synojnë që të rikthehen te tre pikët pas dy barazimeve radhazi në këtë start të fazës së katërt. Kjo ndeshje merr një rëndësi të veçantë pasi falë formulës së përgjysmimit të pikëve në “Final Four”, edhe Partizani mund të futet në “vallen” e titullit, e sigurisht duke mposhtur një rival të drejtpërdrejtë si shkodranët, atëherë asgjë nuk mund t’i mohonte pretendimet e kryeqytetasve për t’u shpallur kampionë në fundin e sezonit.
Sakaq, në këtë ndeshje ndaj kuqebluve, Partizani do të mund të mbështetet edhe te një rikthim i rëndësishëm siç është ai i Arafat Dumbia në qendë të mesfushës. Ky i fundit mungoi në ndeshje e luajtur ne Durrës përballë Teutës pasi në takimin ndaj Vorës u ndëshkua me karton të kuq dhe kështu ishte i pezulluar. Megjithatë, për ndeshjen me Vllazninë do të jetë në dispozicion të skuadrës për ta nisur nga minuta e parë duke ofruar shumë forcë fizike në repartin e mesfushës, e po ashtu edhe cilësi teksa rezultoi menjëherë i rëndësishëm pasi u kthye nga dëmtimi duke gjetur rrugën e rrjetës si ndaj Dinamos ashtu edhe ndaj Vorës.
Ndërkohë, Dumbia nuk do të jetë i vetmi që do të rikthehet ndaj Vllaznisë. Kjo pasi edhe trajneri Oltijon Kërnaja do të mund të udhëheqë skuadrën si gjithnjë nga pankina. Kujtojmë se trajneri 37-vjeçar u ndëshkua me karton të verdhë në ndeshjen ndaj Vorës dhe plotësoi numrin katër të tyre duke qëndruar në tribunë për takimin me Teutën. Por, tashmë Kërnaja ka shlyer pezullimin dhe do të jetë pranë skuadrës për ta udhëzuar dhe drejtuar në një triumf që siç e përmendëm më lart, mund të jetë shumë i rëndësishëm për fatet e sezonit te Partizani.
Ndërkohë, pas kësaj pauze, te Partizani pritet që të jetë në kondicionin më të mirë të mundshëm edhe Kamer Qaka, që pati disa problematika para se kampionati të ndërpritej për shkak të impenjimeve të kombëtares ndërsa mbetet për t’u vlerësuar Skuka që po ashtu ka pasur ditë në dispozicion për t’u rikuperuar ndërsa i gatshëm pritet të rikthehet nga kombëtarja edhe Vusal Isgandarli që ka qenë i impenjuar me Azerbaxhanin.
