Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se mjedisi dhe siguria ushqimore përbëjnë dy nga sfidat më të rënda në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se mosplotësimi i standardeve europiane do të ketë pasoja serioze edhe për tregun e brendshëm.
Gjatë një diskutimi mbi negociatat me BE-në, Rama u shpreh se nëse pas viteve të periudhave tranzitore Shqipëria nuk arrin të përmbushë kriteret e kërkuara, produktet ushqimore të prodhuara në vend nuk do të mund të konsumohen as brenda territorit shqiptar.
“Lidhur me negociatat, atë që kemi diskutuar edhe në mbledhjen maratonë të qeverisë dhe grupit dje, dua ta prek këtu dhe me ju sepse kam shqetësimin që jo të gjithë në nivelin udhëheqës e kanë idenë mjaftueshëm të sfidave që na presin me hyrjen e Shqipërisë në BE. Disa nga sfidat janë jashtëzakonisht komplekse dhe të renda. BE ka mekanizmë periudha tranzitore. Sfida më e rëndë me të cilat janë përballur edhe vendet e tjera përpara nesh, Kroacia psh ka marrë 10 vite periudhë tranzitore dhe pse nuk ka pasur problematika sa ne, është mjedisi.
Nëse gjithçka ecën sipas planit, do të kemi 10 vite kohë periudhë tranzitore.
Një tjetër sfidë e rëndë, ku ne po përpiqemi të marrim 5 vite, është siguria ushqimore. Kjo do të thotë që në 5vite të mos jemi në gjendje të eksportojmë por mund të konsumojmë vetë, dhe pas periudhës tranzitore nuk mund të konsumosh as vete ato që prodhohen nëse nuk janë në stadarte sepse nuk je treg në vete”, tha ai.
