Shpesh, në punët tona, kudo që jemi në përditshmërinë tonë, mund të ndjehemi të sfiduar nga më të pushtetshmit. Dikush kërkon të ketë më shumë kontroll ndaj nesh dhe gjen rastin të të kërkojë diçka në mënyrë irrituese. Dhe shumëkush nga ata që janë vënë nën një presion të tillë mund të jetë vënë në dilemë të fortë: t’ia bëjë të ditur se tjetri po përdor pushtetin e t’ia plasë kundërshtinë në sy, qoftë edhe duke rrezikuar vendin e punës, apo ta lërë të shkojë atë që po ndodh rreth tij sikur nuk ka ndodhur gjë! Besoj se kjo dilemë mund të rrokë edhe atë më të zhurmshmin në cilëndo punë. Çështja më pas është te përsëritja e kësaj skeme. I pasfiduari ndihet pak më i fortë dhe, për më tepër, mund të ndjejë se ka të drejtë të sillet ashtu. Ndërsa ai që nuk e kundërshtoi, rrezikon të lejojë t’i ndodhin atij gjëra edhe më të mëdha, pasi i ka hapur udhë korruptimit të marrëdhënies. Korruptimi moral i kësaj marrëdhënieje është pikërisht moskundërshtimi i duhur për gjërat që janë kërkuar gabim nga dikush që vepron vetëm e vetëm për pak më shumë pushtet.

Gjithkush me të drejtë thotë se, shpesh, heshtja vjen për shkak të altruizmit të brendshëm, për të toleruar ose për shkak të egoizmit për të mospranuar të merresh me dikë që e nënvlerëson. Ky është një shqetësim për shumëkënd, pasi ky konformizëm, kjo rënie dakord me humbjen e zërit për të thënë të vërtetat është baza ku diktaturat apo autokracitë shtrojnë jetëgjatësinë e tyre, pasi ekzistenca e ngritur mbi mashtrim është dera e autoritarizmit.

Psikiatri Viktor Franklin, në librin e tij “Njeriu në kërkim të kuptimit” shkruante: “Ekzistenca individuale, e ngritur mbi mashtrim dhe individualitet të munguar, i paraprin totalitarizmit social”. Frojdi, Jungu e Adler, që janë marrë pikërisht me problemet e pacientëve, bashkoheshin në të njëjtin mendim se, shumica e problemeve vinin nga falsifikimi i realitetit që pacientët kishin pranuar në jetët e tyre. Ata besonin se gënjeshtra kalb strukturën e qenies njerëzore. Sipas tyre, totalitari dhe autoritaristi mohojnë në thelb nevojën që individi të marrë përgjegjësinë për përmirësimin e vetvetes. Dhe mosshënjimi ynë në shenjë në të tashmen mund të përshpejtojë të tatëpjetën. Dhe shoqëria shqiptare e ka parë veten në një tatëpjetë të tillë, ku gënjeshtra është bërë kryefjala e përditshmërisë dhe komunikimit.

Përmirësimi i vetes dhe shënjimi për të tashmen vjen me refuzimin që duhet të kemi ne ndaj falsifikimit që i bëhet realitet rreth nesh. Por a po e bëjmë? A i debatojmë ne si shoqëri falsifikimet që po devijojnë jetët tona duke na dërguar në prehrin e refuzimit të dijes e refuzimit të të vërtetave, e më pas, edhe pranimit të talljes si formë komunikimi?

Teksa shkruan për rëndësinë e shmangies së kaosit në jetët tona, filozofi Jordan Peterson thotë se ka dy mënyra të thjeshta, por që e dallojnë njeriun se si reagon përballë falsifikimit të realitetit: i pari, që është autentik, mendon se mosarritja e dëshirave nga ana jonë mund të ketë pasur qasje të gabuar për ta arritur, ndaj dhe mësimi në këtë rast është leximi i rrethanave tona. Në rastin e dytë, ai që gënjen veten, mendon se bota është e padrejtë, se njerëzit janë ziliqarë, të trashë, që nuk marrin vesh.

Nga mënyra se si zgjedhim të reagojmë, sipas mënyrës së parë, apo së dytës, vendos edhe për mundësinë që kemi apo nuk kemi për të dalë nga kjo situatë. Ne mundemi që të nisim ndryshimin nga vetja dhe të zgjedhim një të nesërme më të mirë, për të mos mbetur në mbretërinë e justifikimit se “nuk e ndryshojmë dot realitetin”, se “realitetin nuk e ndryshojmë dot”, se “bota është e padrejtë”. Përndryshe, nëse do gënjejmë veten duke besuar se “fajin e kanë gjithmonë të tjerët”, atëherë diktatura është vetëm çështje kohe…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb