Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj diskutimeve në Kuvend për ligjin mbi barazinë gjinore, duke deklaruar se opozita mbështet parimin e barazisë ligjore, por kundërshton atë që e cilësoi si “doktrinë postmarksiste që shkatërron konceptin e gjinive”.

“Marrin dhe sjellin ligjin për barazinë gjinore. Ne jemi për ligjin për barazinë ligjore – kurrë s’kemi hezituar. Kurrë s’jemi për mosbarazi mes burrit dhe gruas, apo nënës dhe babait. Por këta shprishin gjininë. Kanë marrë doktrinën postmarksiste të Sorosit dhe luftojnë kundër gjinive,” – tha Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorim politik të çështjeve të ndjeshme sociale. “Rama, ju e patë në komision ku arriti puna. Shalsi, që është skllav mjeran i vjedhjeve të tij, është i njohur që në bashki… të mos tregoj historitë e tij personale, agresion ndaj zv.ministres që nuk ishte dakord,” – deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës theksoi gjithashtu se PD nuk do të votojë asnjë ligj që bie ndesh me qëndrimet e komuniteteve fetare. “Në ligje që kundërshtohen nga komunitetet fetare të Shqipërisë, ne nuk i votojmë në mënyrë absolute. Në rast se do të kemi një vendim ndryshe, ne i respektojmë ato. Por në këto ligje, tre të tilla, ne nuk votojmë. Këtë ta kenë të qartë,” – u shpreh Berisha.

Ai shtoi se beson fort në vlerat morale që burojnë nga tradita dhe besimi fetar. “Unë besoj shumë se morali njerëzor, më shumë se çdo gjë tjetër, është i bazuar te parimet e librave të shenjtë,” – përfundoi Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: