Një ditë para ndeshjes vendimtare sa i takon fatit të dardanëve për pjesëmarrjen në botërorin e ardhshëm, tekniku Franko Foda i ka thurrur lëvdata Kombëtares së Turqisë, por beson se “Dardanët” do të bëjnë çmos për të realizuar objektivin. Ai në konferencë për media deklaroi se shanset janë 50-50, meqenëse Kosova me plot meritë ka arritur në finale.
“Ekipi i Turqisë është shumë i fortë edhe në aspektin e lojtarëve individual si Yildiz, Guler e Calhanoglu, janë kualitativ dhe ne jemi të mirë. Jemi në finale me plot meritë, gjasat janë 50-50. Ne do të japim gjithçka për të fituar. Padyshim që vërehet se është ngjarje shumë e rëndësishme. Kurrë s’ka pasur kaq shumë gazetarë. Po luajmë për kualifikimin në Kampionatin Botëror. Është mirë që jemi të motivuar, por të qëndrojmë me “këmbë në tokë”.
Foda shtoi se i njeh të gjitha dobësitë dhe forcat e Turqisë dhe që Kosova është e përgatitur për të gjitha mundësitë, përfshirë kohën shtesë dhe penalltitë.
“Natyrisht nuk do ta zbuloj taktikën që do ta zbatoj në lojë. E rëndësishme është që i njohim forcat dhe dobësitë e Turqisë. Nesër të përformojmë me idetë dhe parimet tona. Turqia është e fortë si në lojë ashtu edhe në kombinime. Loja e tyre bazohet në pasime të shkurtra, por me rëndësi është që kur ta kemi topin të kthehemi në kundërsulm.. 90 apo 120 minuta? Nuk jam parashikues i të ardhmes, ndoshta edhe do të ketë penallti. Me rëndësi është që jemi të përgatitur për të gjitha mundësitë”.
Bashkë me teknikun gjerman, në konferencë për shtyp ishte edhe bomberi i dardanëve, Vedat Murriqi. Për sulmuesin e Mallorcës, sfida pritet të jetë tepër e vështirë, duke njohur kualitetet e ekipit turk, por në rast të një kaulifikimit, ai theksoi se ky do të ishte momenti më i lumtur për Kosovën, që pas Shpalljes së Pavarësisë.
Kujtojmë, përballja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”
