SHBA – Uashingtoni dhe zonat përreth janë gdhirë të bllokuara nga dëbora masive e mbledhur nga stuhia e përmasave të mëdha që filloi ditën e premte. Në disa zona trashësia e dëborës arriti deri në 100 cm.

Stuhia e orëve të fundit kishte përmasa historike për kryeqytetin amerikan, që paralizoi transportin publik dhe trafikun në përgjithësi. Ne të gjithë pjesën lindore, që nga dita e premte, kanë humbur jetën 29 persona, si pasojë e aksidenteve rrugore, helmimit nga gazi karbonik apo nga infarktet teksa pastronin borën.

Autoritetet e Uashingtonit kanë mbyllur sistemin e transportit hekurudhor dhe aeroportet. Sot është dita kur fillon pastrimi i borës, për të nxjerrë makinat e bllokuara, para se dëbora të ngrijë.

Jo vetëm në Uashington, por në të gjithë bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, miliona njerëz do ta kalojnë ditën duke pastruar borën e mbledhur në rrugë e makina, gjatë një prej stuhive më të mëdha të regjistruara ndonjëherë.

Në zonat afër Nju Jorkut, njerëzit kanë filluar të qarkullojnë më këmbë pasi u shpall ndalim qarkullimi për mjetet e motorizuara. Shumë njerëz të bllokuar prej anullimit të fluturimeve shpresojnë të rifillojnë udhëtimin gjatë javës që vjen.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: