UASHINGTON– Dhjetë kandidatët republikanë që u përballën me favoritin Donald Trump në debatin e dytë të partisë kryesore të së djathtës amerikane, e quajtën atë një argëtues fëmijësh dhe pa temperamentin e duhur për të qenë president i SHBA-së.

“Ka një papjekuri që e bën zbavitës zotin Trump”, u shpreh senatori, Rand Paul, gjatë debatit të mbrëmshëm.

Duke iu referuar shfaqjes televizive të Trumpit, guvernatori i Wisconsinit, Scott Walker tha se “ne nuk duam një amator në Shtëpinë e Bardhë”.

Trump, i cili shtrembëroi fytyrën kur moderatori e pyeti nëse ai ishte i duhuri për të marrë kontrollin e arsenalit bërthamor amerikan, përmendi eksperiencën e tij në biznes si provë se ai mund ta çonte përpara Amerikën.

Për çka unë vlerësoj, një zbavitës është edhe biznesmen dhe kjo është mendësia që vendi ka nevojë”, theksoi Trump. “Më besoni, kam temperament shumë të mirë, të qetë. Por ne, duhet të respektohemi jashtë këtij vendi. Ne nuk e gëzojmë këtë respekt tashmë”, deklaroi ai.

Karriera e papritur politike e Trumpit ka tronditur politikën presidenciale republikane dhe kundërshtarët e tij kërkonin që ai t’u përgjigjej temave që përfshinin marrëveshjen bërthamore iraniane, kibernetizmin kinez dhe çështjen e emigrimit.

Trump ka qenë në majat e sondazheve, por sondazhi i kësaj jave i CBS News dhe ”New York Times” tregoi se konkurenti, Ben Carson, neurokirurgu tashmë i dalë në pension, gjithashtu pa eksperiencë politike, po ngushton diferencën.

Trump mori 27 për qind të mbështetjes, kurse Carson 23. Edhe republikania Carly Fiorina, duket se po fiton terren nga debati pas pyetjeve të vazhdueshme rreth sfidave specifike të politikës së jashtme amerikane, ku Trump po nxjerr në pah injorancën e tij.

Për këtë çështje, Trump i vuri theksin karakterit dhe eksperiencës së tij në marrëveshjet ndërkombëtare të biznesit, si një metodë për të zbutur krizën ndërkombëtare.

“Mendoj se do të kem marrëdhënie të mira me Putinin dhe me të tjerët dhe do të kemi një botë më të stabilizuar”, tha Trump. Çështja u kthye më shumë në personale më pas, pasi Fiorina dhe Trump përdorën statistikat e bizneseve të tyre për të sulmuar njëri-tjetrin.

Këtu, Fiorina mori shkas për t’iu kundërpërgjigjur komenteve të mëparshme të Trumpit për pamjen e saj.

Jeb Bush, dikur i konsideruar si favorit, u rendit në vendin e tretë në sondazhet e CBS News-”New York Times” me vetëm gjashtë për qind të votuesve republikanë. Ai kërkon të rikthejë mantelin e partisë që dikur drejtohej nga babai dhe vëllai i tij.

“Ti nuk mund të ofendosh liderët e tjerë në mbarë botën dhe në fund të presësh një rezultat pozitiv”, tha Bush duke iu referuar sjelljes së pahijshme të Trumpit. “Unë besoj se i kam aftësitë për të vepruar ndryshe”, theksoi ai.

Bushit iu desh të mbrojë lidhjet e tij familjare si djalë dhe vëlla i dy presidentëve të fundit republikanë dhe qortoi Trumpin për sulmet ndaj bashkëshortes së tij meksikane.

“Unë jam i pavarur dhe kam vetëbesim. Do të krijoj një strategji që bazohet në fakte të thjeshta se SHBA-ja duhet të qeverisë botën”, shtoi Bush duke theksuar se presidenti i ardhshëm do të marrë detyrën në 2017, jo si 30 apo 16 vite më parë kur presidentët George HW Bush dhe George W. Bush morën detyrën.

Shqetësimet brenda Partisë Republikane janë shtuar pasi Trumpi ka shënuar rritje pavarësisht deklaratave të tij nxitëse që shumë druhen se do të dëmtonte imazhin e partisë në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit 2016.

Trump shkaktoi tronditje në debatin e parë të muajit të kaluar kur ai përjashtoi mundësinë e kandidimit si kandidat i një partie të tretë, lëvizje kjo që do të rrezikonte shanset e republikanëve për rimarrjen e Shtëpisë së Bardhë. Që atëherë, ai ka bërë një zotim, ku premton se do të mbështesë kandidaturën e partisë.

(m.k/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: