Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ripozicionojnë rreth 200 trupa ushtarake në Izrael, nga trupat që tashmë ndodhen në Lindjen e Mesme, për të ndihmuar në monitorimin e armëpushimit në Gazë.
Kështu kanë njoftuar zyrtarë amerikanë. SHBA do të krijojë një taskforcë shumëkombëshe në Izrael, e njohur si Qendra Koordinuese Ushtarako-Civile, e cila me gjasë do të përfshijë trupa nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Forcat amerikane nuk do të hyjnë në Gazë, por do të kontribuojnë në krijimin e Qendrës së Përbashkët të Kontrollit, e cila do të integrojë forcën shumëkombëshe që do të vendoset në territorin e Gazës. Taskforcës do t’i prijë Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM), e cila ka bazën në rajon.
Qëllimi i saj do të jetë mbikëqyrja e zbatimit të armëpushimit dhe koordinimi i ndihmës humanitare. Për situatën në terren dhe për çdo shkelje të mundshme të armëpushimit, forca shumëkombëshe do të informojë si Izraelin, ashtu edhe Hamasin, por përmes Egjiptit dhe Katarit.
Një nga 20 pikat e planit të paqes të presidentit Trump parashikon që SHBA të punojë me partnerët arabë dhe ndërkombëtarë për zhvillimin e përkohshëm të një Force Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila do të vendoset në Gazë.
Megjithatë, kjo do të ndodhë vetëm nëse palët bien dakord dhe pas përfundimit me sukses të shkëmbimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.
