E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy Van Horn, ishte sot e pranishme në ceremoninë e dorëzimit të sistemeve raketore JAVELIN pranë Komandës së Forcës Tokësore në Zall-Herr, Tiranë.

Në aktivitet mori pjesë edhe komandanti i detashmentit të Gardës së Sigurisë së Marinës së SHBA-së, nëntoger Manuele Koronado, i cili ka eksperiencë të drejtpërdrejtë me përdorimin e sistemeve JAVELIN.

Gjatë fjalës së saj, Van Horn u shpreh se kishte mësuar më shumë rreth këtyre sistemeve, duke i cilësuar ato si teknologji të avancuara me kapacitete mbresëlënëse. Ajo theksoi se pajisjet e reja përforcojnë jo vetëm mbrojtjen kombëtare të Shqipërisë, por edhe sigurinë kolektive të aleancës.

Duke iu referuar deklaratave të bëra në ministerialin e mbrojtjes së NATO-s nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ajo nënvizoi se rritja e angazhimit për sigurinë përbën një investim për të ardhmen dhe një garanci për paqen. Sipas saj, ky angazhim kërkon jo vetëm rritje të buxheteve për mbrojtjen, por edhe përqendrim të vazhdueshëm në gatishmërinë dhe modernizimin e forcave të armatosura.

Në vijim, Van Horn vlerësoi kontributin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe në misionet ndërkombëtare, duke falënderuar për pjesëmarrjen me trupa dhe pajisje ushtarake. Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin me Shqipërinë në këto përpjekje të përbashkëta.

Në përfundim ajo shprehu kënaqësinë për përfshirjen e sistemeve JAVELIN në arsenalin e Forcave të Armatosura.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb