Historiani Paskal Milo ka parashtruar një këndvështrim lidhur me krijimin e Gjykatës Speciale të Hagës, duke analizuar edhe gjyqin që po bëhet ndaj ish-krerëve të UÇK.
Gjatë intervistës në emisionin “Studio24” në News24, historiani Milo në analizën e tij shprehet se Serbia ka bërë një fushatë të egër dhe të kushtueshme për të akuzuar UÇK-në. Sipas tij përgjegjësi në këtë rast ka edhe komuniteti ndërkombëtar, sepse shprehet se aktorët e mëdhenj si SHBA, BE ushtruan presion mbi Parlamentin e Kosovës që të miratonte Gjykatën Speciale.
“Nuk është vetëm Serbia ajo që është përgjegjësie përse këta komandantë të UCK ndodhen në Hagë. Sepse duhet të parashtrojmë edhe potencialet që ka Serbia me gjithë komunitetin ndërkombëtar. Serbia ka bërë fushatë të egër të kushtueshme për të akuzuar UCK dhe për të arritur këtu ku jemi. Por duhet të jemi të ndershëm edhe me ata që ndodhen në Hagë dhe opinionin publik. Në këtë rast ka përgjegjësi edhe komuniteti ndërkombëtar, ka përgjegjësi edhe aktorët e mëdhenj edhe SHBA edhe BE, sepse ata si aktorë të mëdhenj politik ushtruan presion mbi parlamentin e Kosovës që të miratonte Gjykatën Speciale. Ndoshta ata në ato momente nuk arritën që ta kapnin dimensionin e atij presioni që ishin duke bërë në dëm të Kosovës, shtetit të Kosovës, Luftës…U ka dalë situata nga dora sepse morën një vendim politik për të mbështetur ngritjen e gjykatës speciale, por më pas gjykata speciale, ka një pavarësi që është e vështirë më pas ta korrigjosh apo ta ndalosh. Sepse varet shumë nga njerëzit. Sepse në emër të drejtësisë, individë të veçantë shprehin interesat e tyre, ndikohen në forma dhe mënyra të ndryshme për të bërë një proces si ky që është duke u bërë. Ndërkombëtarët sot në emër të respektimit të institucioneve të drejtësisë nuk ndërhyjnë, nuk shprehet hapur, por kanë forma dhe mënyra të ndryshme që mund të ndikojnë. Pse në vende të veçanta vetë SHBA nuk e pranojnë gjykatën ndërkombëtare penale. Nuk e kanë firmosur madje marrëveshjen e Romës. Pra nëse ndaj institucioneve të tilla mbajnë qëndrime, apo është marrë qëndrim për kryeministrin e Izraelit që të paraqitet, dhe shtetet e mëdha nuk e respektojnë. Pse në rastin e një gjykate speciale…Pse nuk ndërhyjnë? Sepse këtu në mes kanë qenë dhe mbeten të pranishme interesa politike dhe gjeopolitike. Ata u nisën për të krijuar balancë minimale, që të mos akuzoheshin se u dënuan vetëm liderë kryesorë serbë, por ja po dënojmë edhe 2-3-4 edhe nga shqiptarë, për të krijuar opinionin që nuk jemi të njëanshëm”, tha mes të tjerash ai.
