Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara kanë vrarë Héctor Rusthenford Guerrero Flores, i njohur si “Niño Guerrero”, i konsideruar si drejtuesi i organizatës kriminale transnacionale Tren de Aragua. Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump bëri të ditur se operacioni u realizua nga Komanda Jugore e SHBA-së dhe e cilësoi atë si një ndërhyrje “të shpejtë dhe vendimtare”, e kryer në bashkëpunim me autoritetet venezueliane. Ai nuk dha detaje për vendndodhjen apo kohën e saktë të aksionit.

Mesazhi i presidentit u shoqërua me një video ku shihet goditja e një ndërtese nga një predhë dhe shpërthimi që pason. Edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, konfirmoi se operacioni ishte zhvilluar më herët gjatë javës, pa zbuluar informacione shtesë. “Ky aksion tregon vendosmërinë e përbashkët të SHBA-së dhe Venezuelës për të luftuar organizatat kriminale dhe për të mos u lënë atyre asnjë vend të sigurt për t’u strehuar”, u shpreh Hegseth.

Deri më tani, Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe Komanda Jugore nuk kanë publikuar detaje të tjera mbi misionin. Guerrero Flores ishte prej kohësh në kërkim nga autoritetet amerikane, të cilat kishin vendosur një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacione që do të çonin në arrestimin e tij. Ai ishte akuzuar nga drejtësia federale në SHBA për zhvatje, trafik droge dhe aktivitete të tjera të lidhura me krimin e organizuar.

Sipas hetimeve amerikane, “Niño Guerrero” drejtoi për më shumë se një dekadë Tren de Aragua, një organizatë që nisi aktivitetin brenda një burgu në Venezuelë dhe më pas u shndërrua në një rrjet kriminal ndërkombëtar me shtrirje në disa vende të Amerikës Latine dhe në Shtetet e Bashkuara.

Grupi akuzohet për përfshirje në trafik droge, rrëmbime, zhvatje, trafikim njerëzish, kontrabandë emigrantësh, pastrim parash dhe aktivitete të tjera kriminale. Për shkak të veprimtarisë së tij, SHBA e ka klasifikuar Tren de Aragua si organizatë terroriste. Në deklaratën e tij, Trump theksoi se administrata amerikane do të vazhdojë ndjekjen e anëtarëve të organizatës kudo që ndodhen, duke premtuar se lufta kundër karteleve dhe grupeve kriminale transnacionale do të mbetet një nga prioritetet kryesore të sigurisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: