Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi të premten për të lejuar presidentin e autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, të flasë në takimin vjetor të liderëve botërorë që fillon javën e ardhshme nëpërmjet një lidhjeje video.

Ky veprim u konsiderua i nevojshëm pasi SHBA-të njoftuan se nuk do t’i jepnin atij vizë për të udhëtuar në Nju Jork, ku ndodhet selia e Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta mori 145 vota pro dhe pesë vota kundër, ndërsa gjashtë vende abstenuan. SHBA-të dhe Izraeli ishin midis vendeve që votuan kundër rezolutës.

Administrata Trump e mori vendimin në shenjë proteste ndaj planeve të vendeve perëndimore për të njohur një shtet palestinez në një konferencë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të hënën, në të cilën Abbas shpresonte të merrte pjesë.

Rezoluta thotë se Abbasit do t’i lejohet të dërgojë një deklaratë video të pararegjistruar në atë konferencë, së bashku me çdo seancë të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme, gjatë së cilës udhëheqësit e vendeve nga e gjithë bota tradicionalisht i drejtohen këtij organi.

Udhëheqësit kanë qenë në gjendje t’i drejtohen Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së virtualisht vitet e fundit, veçanërisht gjatë dhe pas pandemisë Covid 19. Megjithatë, rregulli i përgjithshëm është që fjalimet duhet të mbahen personalisht, prandaj Asambleja e Përgjithshme e gjeti të nevojshme të miratojë një rezolutë duke bërë një përjashtim që Abbas të flasë virtualisht këtë vit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb