Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike, Enri Çeno, ka komentuar takimet e zhvilluara ditën e djeshme mes zyrtarëve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe krerëve të grupeve parlamentare të PS dhe PD, përfshirë edhe kreun e grupit të PD, Gazment Bardhi.
I ftuar në studion e News24, Çeno tha se këto takime janë pjesë e praktikës së rregullt të ambasadës amerikane në nisje të sesioneve parlamentare, por sipas tij, këtë herë vihet re një interes dhe një intensitet më i lartë. “Ambasada amerikane e ka në rutinën e saj që në fillim të sesioneve parlamentare të zhvillojë këto takime. Por sot ka një rritje të interesit, qoftë për dosjet e korrupsionit që po ndiqen në bashkëpunim me agjencitë tona ligjzbatuese, qoftë për shkak të ndryshimeve në politikën e jashtme të SHBA me administratën e re,” u shpreh ai.
Çeno theksoi se ndryshimi i perceptimit gjeopolitik të Uashingtonit reflektohet edhe në lëvizjet e fundit diplomatike në rajon dhe në Shqipëri, duke shtuar se këto takime mund të bëhen edhe më të shpeshta në të ardhmen.
Duke iu referuar situatës politike në vend, ai deklaroi se një sërë zyrtarësh të Partisë Socialiste janë sot të pandehur mbi bazën e dosjeve dhe akuzave të depozituara nga Partia Demokratike në SPAK. “Balluku sot është e pandehur prej dosjeve të dorëzuara nga PD në SPAK. Edhe anëtarë të tjerë të PS janë nën akuzë mbi bazën e materialeve të dërguara nga PD. Qëndrimet që pasojnë janë pjesë e retorikës politike,” tha Çeno, duke shtuar se PD ndodhet në përfundim të një analize të thelluar politike mbi këto zhvillime.
Në fund, ai bëri të ditur edhe një informacion tjetër të ndjeshëm, duke thënë se ka dijeni për një takim mes përfaqësuesve të një kompanie energjetike amerikane dhe zyrtarëve. “Kam informacion se është zhvilluar një takim me përfaqësues të një kompanie energjetike amerikane që ka hasur në problematika me zëvendëskryeministren Balluku dhe kryeministrin Rama,” deklaroi Çeno.
