Shtetet e Bashkuara janë duke e përgatitur një paketë të re ndihmë ushtarake, në vlerë 400 milionë dollarë, për Ukrainën, e cila ka hasur në vështirësi për t’i zmbrapsur trupat ruse në rajonin verilindor, Harkiv. Kjo paketë përfshin artileri, raketahedhës NASAM dhe municione për të, municione antitanke, autoblinda dhe armë të vogla të cilat mund vihen në përdorim menjëherë në fushëbetejë. Njoftimi i SHBA-së vjen vetëm një ditë pasi forcat ruse e nisën një ofensivë tokësore të premten në afërsi të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, në verilindje të vendit.

Forcat ruse shënuan përparim të vogël në Harkiv dhe e hapën një front të ri në një luftë që për kohë të gjatë është zhvilluar në lindje dhe në jug. SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 50 miliardë dollarë, prej se Rusia e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022. Të enjten, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se tre sisteme të tjera raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, HIMARS, do t’i dërgohen Ukrainës nga aleatët e saj perëndimorë.

Paraprakisht, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij mund t’i ndalojë forcat ruse të përparojnë në lindje, nëse aleatët i rrisin furnizimet me armë. Të shtunën, Zelensky, tha se një “betejë e ashpër” po zhvillohej në Harkiv, nga ku u evakuuan qindra ukrainas. Rajoni i Harkivit ka qenë kryesisht nën kontrollin e Ukrainës prej shtatorit 2022.

Por, muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon dhe kryeqytetin e tij, përderisa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb