Të paktën katër persona kanë humbur jetën si pasojë e uraganit “Isaias” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa qindra mijëra banorë kanë mbetur pa energji elektrike, sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve amerikane.

”Në Florida, rreth 430 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike”, bëri të ditur guvernatori Ron DeSantis.

Sipas tij, një person humbi jetën pasi një pemë u rrëzua mbi çatinë e banesës së tij, ndërsa një tjetër u gjet i pajetë në një garazh ku po funksiononte një gjenerator.

Ndërkohë, autoritetet e emergjencave në Alabama raportuan rreth 200 mijë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Në këtë shtet janë regjistruar edhe dy viktima.

“Isaias” preku tokën në Florida të premten, me erëra që arritën shpejtësinë deri në 165 kilometra në orë.

Për arsye sigurie, në disa shtete ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Edhe pse stuhia është dobësuar gjatë natës dhe nuk klasifikohet më si uragan, autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se rreziku për jetën mbetet i lartë, veçanërisht për shkak të përmbytjeve.

Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve, stuhia po lëviz drejt verilindjes, ndërsa zonat e Apalasheve qendrore dhe bregdeti i Atlantikut, përfshirë Uashingtonin, Filadelfian, Baltimorën dhe Nju Jorkun, pritet të përballen me reshje të dendura shiu dhe përmbytje të menjëhershme.

Në zonat më jugore, erërat e forta vijojnë të përbëjnë rrezik për rrëzimin e pemëve dhe ndërprerjen e energjisë elektrike.

Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia e formimit të tornadove në disa rajone.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb