Shtetet e Bashkuara po krijojnë një njësi të re për të ndihmuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit të brendshëm, nën theksin e rritjes së kërcënimeve dhe shtimit të çështjeve.

Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Matthew Olsen, u tha ligjvënësve të martën se po krijonte njësinë e re në kuadër të drejtorisë që merret me çështje të sigurisë kombëtare pranë Departamentit të Drejtësisë, për t’u “siguruar që këto raste të trajtohen siç duhet dhe në mënyrë efektive”.

“Kërcënimi që vjen nga terrorizmi i brendshëm është në rritje“, tha zoti Olsen gjatë dëshmisë para Komisionit Juridik të Senatit. “Kemi vënë re një kërcënim në rritje nga ata që janë të motivuar nga armiqësia racore, si dhe nga ata që mbështesin ideologjitë ekstremiste anti-qeveri dhe anti-autoritet.”

Zoti Olsen tha se që nga marsi i vitit 2020 Byroja Federale e Hetimeve ka dyfishuar numrin e hetimeve ndaj terrorizmit të brendshëm ndërsa raportet e inteligjencës sugjerojnë se këto kërcënime mund të vazhdojnë.

Dëshmia e zotit Olsen vjen më pak se një javë pasi Shtetet e Bashkuara shënuan përvjetorin e parë të trazirave të 6 janarit në ndërtesen e Kongresit amerikan.

Deri më sot janë arrestuar më shumë se 725 persona lidhur merolet e tyre në trazira. Më shumë se 325 prej tyre janë akuzuar për vepra penale./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb